Orban-udhëheqësve të BE-së: Trump do të vepronte si ndërmjetësues i paqes Rusi-Ukrainë, nëse rizgjidhet

Orban-udhëheqësve të BE-së: Trump do të vepronte si ndërmjetësues i paqes Rusi-Ukrainë, nëse rizgjidhet

Në një letër dërguar udhëheqësve të Bashkimit Evropian kryeministri hungarez Viktor Orban, tha se kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, është gati të veprojë “menjëherë” si ndërmjetësues i paqes në luftën Rusi-Ukrainë, nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.
Letra, drejtuar presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe e ndarë me të gjithë udhëheqësit e BE-së, u hartua pasi kryeministri Orban zhvilloi bisedime me zotin Trump, si dhe me udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë dhe Kinës.
“Unë mund (…) të deklaroj me siguri se menjëherë pas fitores së tij në zgjedhje, (Donald Trump) nuk do të presë deri në inagurimin e tij, por do të jetë gati të veprojë si ndërmjetës i paqes menjëherë. Ai ka plane të hollësishme dhe të bazuara për këtë”, thuhet në letrën e kryeministrit Orban.
Udhëheqësi nacionalist hungarez Orban, një mbështetës i vjetër i zotit Trump, bëri vizita të papritura në kryeqytete në dy javët e fundit, në një të vetëquajtur “mision paqeje”, pasi Hungaria mori presidencën e radhës së BE-së, duke nxitur zemërimin e aleatëve.
Në letër, kryeministri Orban tha se presidenti amerikan Joe Biden “po bën përpjekje të jashtëzakonshme” për të mbetur në garën presidenciale dhe sugjeroi se ai “nuk është në gjendje të modifikojë politikën aktuale pro-luftës të Shteteve të Bashkuara”.
Kryeministri Orban ka kritikuar prej kohësh mbështetjen ushtarake evropiane për Ukrainën, ndryshe nga shumica e aleatëve që mbështesin përpjekjet e Kievit kundër agresionit rus.
Udhëheqësi hungarez tha se një fitore e zotit Trump do të ndryshonte barrën e SHBA-së dhe BE-së kur bëhet fjalë për mbështetjen financiare për Ukrainën, në dëm të evropianëve.
“Strategjia jonë evropiane në emër të unitetit transatlantik, ka kopjuar politikën pro-luftës të Shteteve të Bashkuara. Nuk kemi pasur një strategji sovrane dhe të pavarur evropiane apo plan veprimi politik deri më tani”, shkroi ai duke propozuar që “të diskutohet nëse vazhdimi i kësaj politike është racionale në të ardhmen”.
Kryeministri Orban sugjeroi “rihapjen e linjave të drejtpërdrejta të komunikimit diplomatik me Rusinë”, duke mbajtur kontakte të nivelit të lartë me Kievin si dhe zhvillimin e bisedimeve me Kinën, “për modalitetet e konferencës së ardhshme të paqes”.
Një grup ligjvënësish i bën thirrje BE-së t’i heqë Hungarisë të drejtën e votës
Një grup prej 63 ligjvënësish të Parlamentit Evropian i kërkoi BE-së t’i heq Hungarisë të drejtën e votës në bllok, si kundërpërgjigje ndaj vizitave të fundit të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Moskë dhe Pekin.
Hungaria mori presidencën e radhës të BE-së këtë muaj dhe është përgjegjëse për organizimin e takimeve të vendeve të bllokut, të njohura kolektivisht si “këshilli” i BE-së, deri më 31 dhjetor.
Ligjvënësit thanë se kryeministri Orban qëllimisht kishte lënë të nënkuptohet se se po vepronte në emër BE-së, pavarësisht se nuk kishte autoritetin për ta bërë këtë.
“Kryeministri Orban tashmë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur rolin e kryesuesit të Këshillit”, thuhet në letrën e publikuar në platformën e mediave sociale X.
“Kjo kërkon veprime konkrete të tilla si pezullimi i të drejtës së votës së Hungarisë në Këshill, pasi praktika ka treguar se dënimet e thjeshta verbale, nuk kanë asnjë efekt”, theksohet në letër.

I have sent a letter with 62 colleagues from @Europarl_EN that EU must suspend Hungary’s right to vote in the EU due to Hungarian Prime Minister Viktor Orbán’s public undermining of the EU, including visits to #Russia and #China.@vonderleyen @EP_President @CharlesMichel pic.twitter.com/kvmLwNIHW0
— Riho Terras (@RihoTerras) July 15, 2024

i.b./dita
Burimi