Ndahet nga jeta Petrit Qëndro, përgatitësi i Spartakiadave të famshme
Është ndarë nga jeta, në moshën 86-vjeçare, mësuesi, profesori, pedagogu, trajneri, specialist i atletikës, njeriu i organizimit të manifestimeve sportive, spartakiadave të mëdha, Petrit Qëndro.
I lindur më 1938, jeta, veprimtaria ajo si mësues, më pas karriera, angazhimi, kontributi i tij në sport është shumë dimensional. Në vitet 50-të ish-nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, dega e pikturës me mësues O. Paskalin. Më pas në Teknikumin e Fizkulturës. Mësues më 18 shkolla të Tiranës e periferinë e saj, pjesëmarrës në garat e atletikës, në rrethet çiklistike të kohës, trajner basketbolli, i kampionëve të kërcimit me shkop, Dh. Dhjaku, S. Fisheku, deri Sekretar i FSHA dhe Shumësporteve. Edhe 6 vite si instruktor i përgatitjes fizike së arbitrave të futbollit.
Mbi të gjitha në dekada, përgatitësi I Spartakiadave të njohura, sa bashku me një grup specialistësh, gruan e tij Ana Qëndro, që edhe ajo është ndarë nga jeta disa vite më parë. Petrit Qëndro, njeri aktiv, shumë i sjellshëm, i komunikueshëm, i palodhur, një profesionist i vërtetë, i përkushtuar, i aftë të merrte përsipër organizime, zhvillime të aktiviteteve masive, një figurë e rëndësishme, me një veprimtari pa limite e kohë, në shërbim të sportit.
Në trajnimin, përgatitjen e sportistëve, nga ata të rinj deri tek ata elitarë, rekordmenëve të shquar falë edukatës sportive që ai transmetoi ndër breza. Një bashkëpunues me trajnerë, grupe pune, nxënës, student, pedagogë, drejtues, kolegë, shumë familjar, korrekt në detyrat shtetërore, postet drejtuese, kudo në punë dhe në jetë. Personalitet i spikatur, i shquar që do t’i mungojë sportit kombëtar, miqve, shokëve, familjes. I tillë do të kujtohet nga të gjithë profesor Petrit Qëndro.
i.b./dita
Burimi