Mes 21 personave të hetuar nga SPAK si organizatë kriminale, snajperisiti që u dyshua për atentatin ndaj Albin Kurtit

Mes 21 personave të hetuar nga SPAK si organizatë kriminale, snajperisiti që u dyshua për atentatin ndaj Albin Kurtit

Prek Kodra është në listën e 21 masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK, por emri i tij është ekspozuar më herët në operacionin “Metamorfoza” si një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gazetari Eni Ferhati shpjegoi sonte në studion e “Opinion” më shumë sa i takon këtij personazhi të botës së krimit.
“Personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje në operacionin “Metamorfoza”. U ekspozua dhe gjatë një e-maili që na u dha prej iranianëve ku flitej si një njohës i mirë i armëve të gjata, i dyshuar si snajperist dhe që do bënte atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”, tha Ferhati.
Përpos këtyre, Prek Kodra është edhe autor i dyshuar për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Ky i fundit është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë.
“Nëse e mbani mend nga Kodra e Krastës, në atë kohë shënjestra i shpëtoi atentati dhe autori i dyshuar ishte pikërisht Prek Kodra i cili ishte kontraktuar nga kjo organizatë kriminale në Elbasan për të eliminuar kundërshtarin e tyre.”
Sipas gazetarit, operacioni i fundit i SPAK është i pari i këtyre përmasave.
“Nga trafiku i lëndëve narkotike prej Amerikës Latine, pastrim parash, vrasje, atentate dhe sigurim i kushteve për të kryer vrasje, janë akuzat ndaj personave në listë”, deklaroi ai.
Kodra ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Në një lidhje telefonike në emisionin “Pressing” në T7, Kodra tha se nuk është snajperist dhe e vetmja armë që ka është një çifte me leje.
Lidhur me një foto në të cilën Kodra shfaqet me deputetin Dritan Selmanaj, Preku ka sqaruar se si qëndron e vërteta. Ai shtoi se nuk ka bërë asgjë për të pasur frikë dhe është i gatshëm t’i japë përgjgije të gjitha pyetjeve.
Pjesë nga biseda:
Prek Kodra: Unë nuk jam snajperist. Nuk më hyn në punë ajo lloj arme. Unë kam 25 vite që kam armë gjahu me leje, çifte.
Si je takuar me Dritan Selmanaj?
Prekë Kodra: E keni marrë nëpër gojë duke e lidhur me mua se çdo gjë është kot këtu. Unë isha në Kosovë me një nip timin dhe mikun e nipit tim. Nusja e tij shkon në Zvicër dhe ka shërbyer te familja e tij, i ka rritur fëmijën. Kemi qenë në Kosovë, ishim ftuar në një darkë dhe e kemi gjetur atë person aty. Unë nuk e dija as që ishte deputet. Gjatë darkës, gjatë prezantimit më thanë që është deputet i Kosovës dhe kemi ndenjur në atë pozicion. Unë në jetën time as nuk e kam parë më parë, as më vonë. Emrin ia kam mësuar përmes lajmeve. Unë jam i gatshëm të shkoj të përgjigjem dhe t’i kthej përgjigje. Nuk i fshihem askujt. Këto janë intriga shqiptarësh, intriga kosovarësh që më duan të keqen mua dhe familjes time.
Pse ju gjetën ju? Si u përfshitë ju?
Prek Kodra: Nuk kam shpjegim për këtë histori. Jam një njeri që për herë të parë para dy ditësh e kam dëgjuar këtë histori. Akoma nuk e kam marrë veten. Ata njerëz që janë përmendur në atë lajm unë nuk i njoh përveç Albin Kurtit. Nuk jam marrë me asnjë gjë që të kem frikë. Unë u vij në rrugë me zakone të Dukagjinit. Këto janë shpifje, intriga. Kush ka gjë me mua, mi thotë gjërat në sy. Të rrijë i qetë kushdo, unë kam hallet e mia, problemet e mia.
 
j.l./ dita
Burimi