Merr fund saga ligjore e Hunter Biden, Presidenti i SHBA falje presidenciale për djalin e tij

Merr fund saga ligjore e Hunter Biden, Presidenti i SHBA falje presidenciale për djalin e tij

Presidenti Joe Biden fali djalin e tij Hunter të dielën mbrëma duke shmangur një dënim të mundshëm për të, në një veprim që bie ndesh me premtimet e tij të kaluara se nuk do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme të presidencës në interes të anëtarëve të familjes së tij.
Hunter Biden ishte shpallur fajtor për vepra penale federale lidhur me posedimin në mënyrë të paligjshme të një arme zjarri dhe mospagim taksash.
Presidenti demokrat kishte thënë se nuk do ta falte djalin e tij dhe nuk do t’ia zbustë dënimin pas shpalljes së tij fajtor të dy rasteve në shtetet e Delauerës dhe Kalifornisë.
Lëvizja e tij vjen disa javë përpara se Hunter Bidenit t’i jepej dënimi pasi u shpall fajtor për rastin e armëmbajtjes dhe pranimit të fajit për akuzat e lidhur me taksat, si edhe më pak se dy muaj përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Falja nga i ati i jep fund një sage ligjore për Bidenin e ri, i cili bëri të ditur publikisht se ishte nën hetim federal në dhjetor 2020 – një muaj pas fitores së babait të tij – dhe hedh një hije mbi trashëgiminë e Presidentit Biden.
Zoti Biden, i cili vazhdimisht ishte zotuar para amerikanëve se do të rivendoste normat dhe respektin për sundimin e ligjit pas mandatit të parë të zotit Trumpit, përfundimisht e përdori pozicionin e tij për të ndihmuar djalin e tij, duke shkelur premtimin e tij publik ndaj amerikanëve se nuk do ta bënte një gjë të tillë.
Në qershor, Biden përjashtoi kategorikisht mundësinë e një faljeje për djalin e tij, duke u thënë gazetarëve ndërsa djali i tij përballej me gjyqin për çështjen e posedimir të armës në Delauerë se “unë do t’i përmbahem vendimit të jurisë. Këtë do të bëj dhe nuk do ta fal.”
Deri më 8 nëntor, disa ditë pas fitores së zotit Trump, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, përjashtoi mundësinë e një faljeje për të riun Biden, duke thënë:
“Na është bërë kjo pyetje shumë herë. Përgjigja jonë vazhdon të jetë jo.”
Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mbrëmje, Biden tha:
“Sot, nënshkrova një falje për djalin tim Hunter”, duke shtuar se ndjekja penale e djalit të tij ishte e motivuar politikisht dhe ishte një “shkelje e drejtësisë”.
“Akuzat në rastet e tij erdhën vetëm pasi disa nga kundërshtarët e mi politikë në Kongres i nxitën ata të më sulmonin dhe të sfidonin zgjedhjen time,” tha zoti Biden.
“Asnjë person i arsyeshëm që shikon faktet në çështjet e Hunterit nuk mund të arrijë në ndonjë përfundim tjetër përveç se Hunter u vu në shënjestër vetëm sepse ai është djali im.”
“Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë pse një baba dhe një president do të merrte këtë vendim”, shtoi Presidenti Biden, duke thënë se e mori vendimin këtë fundjavë.
Presidenti e kaloi festën e Falënderimeve në Nantucket të Masaçusetsit me Hunterin dhe familjen e tij dhe të dielën vonë pritej të nisej për një udhëtim në Afrikë që mund të jetë i fundit për të jashtë vendit si President, pasi të largohej nga detyra më 20 janar 2025.
Hunter Biden u shpall fajtor në qershor në gjykatën federale të Delauerës për tre krime lidhur me blerjen e një arme në vitin 2018, kur prokurorët thanë se ai gënjeu në një formular federal duke pretenduar se nuk përdorte në mënyrë të paligjshme drogë apo nuk kishte varësi ndaj saj.
Ai pritej të dilte në gjyq në shtator në rastin e Kalifornisë, nën akuzat se nuk kishte paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa. Por ai pranoi të deklarohej fajtor në një veprim të befasishëm disa orë pasi u vendos të fillonte përzgjedhja e jurisë.
Hunter Biden tha se ai kishte pranuar fajësinë për të shmangur dhimbje dhe probleme të mëtejshme për familjen e tij, pasi gjyqi për armëmbajtjen nxorri në pah detaje të pakëndshme rreth luftës së tij me varësinë ndaj kokainës.
Akuzat lidhur me taksat mbartnin dënim deri në 17 vjet burg ndërsa posedimi i armës në mënyrë të paligjshme dënohet me deri në 25 vjet burg, megjithëse ai mund të merrte një dënim shumë më të ulet dhe madje edhe të shmangte plotësisht dënimin me burg.
Falja e gjerë për të parashikon jo vetëm ato vepra penale por edhe çdo “vepër tjetër kundër Shteteve të Bashkuara që ai ka kryer ose mund të ketë kryer ose tek të cilat mund të ketë marrë pjesë gjatë periudhës nga 1 janari 2014 deri më 1 dhjetor 2024”.
Zoti Biden nuk është presidenti i parë që përdor kompetencat e tij të faljes në favor të të afërmve të tij. Në javët e tij të fundit në detyrë, zoti Trump fali Charles Kushner, babanë e dhëndrit të tij, Jared Kushner, si dhe aleatë të shumtë të tij të shpallur fajtor në hetimin lidhur me Rusinë të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller.
Zoti Trump njoftoi këtë javë se do të emërojë zotin Kushner si të dërguarin e SHBA-së në Francë në administratën e tij të ardhshme.
Hunter Biden tha në një deklaratë të dërguar me email se ai kurrë nuk do ta marrë si të mirëqenë faljen që iu bë dhe u zotua t’i kushtojë jetën që ka rindërtuar “për të ndihmuar ata që janë ende vuajnë ( nga problemet me varësinë)”.
“E kam pranuar dhe kam marrë përgjegjësinë për gabimet e mia gjatë ditëve më të errëta të varësisë sime – gabime që janë shfrytëzuar për të më poshtëruar dhe turpëruar publikisht mua dhe familjen time për spektakël politik”, tha zoti Biden.
VOA
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente