Lirohet avokatin Alban Bengasi, akuzohej se do paguante 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas
Apeli i GJKKO-së ka liruar nga qelia avokatin Alban Bengasi, i cili, sipas SPAK dyshohet se do të paguante 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas së tij.
Avokati Bengasi kishte kërkuar shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe gjyqtari i çështjes vendosi lirimin e tij nga qelia.
“Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit Z. A.B. nga ambjentet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor”, thuhet në vendim.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më 27.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 25.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi A.B., me objekt: Kërkesë për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe vendosi:
Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit Z. A.B. me Vendimin nr. 42, datë 17.05.2022 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 103, datë 08.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit Z. A.B. nga ambjentet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit.
Ngjarja dhe akuzat
Ndaj Alban Bengasit, SPAK ngriti akuzën për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të ish-bashkëshortes së tij Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më 30 janar 2020, ku rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj, është dhunuar nga një person, i cili e ka goditur shumë herë me grushte në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës, dhe të gojës tek dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Hetimet e kryera nga SPAK, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.
Konkretisht, Alban Bengasi për shkak të konflikteve familjare, ka qenë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani.
Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e Blerta Bengasit, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.
i.b./dita
Burimi