Lidhje me krimin, kush janë dy ish-gjyqtarët e arrestuar në Elbasan

Lidhje me krimin, kush janë dy ish-gjyqtarët e arrestuar në Elbasan

SPAK ndërmori këtë të hënë një operacion të madh për goditjen e grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit.
Në prangat përfunduan dhe dy ish-gjyqtarë të Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, i cili ky i fundit ka qenë edhe drejtues i Gjykatës së Elbasanit.
Kontrolle janë ushtruar edhe në disa biznese të personave të afërt me individët nën hetim.
Operacioni është ende në vijim dhe nuk dihet ende identiteti i tjerë i personave të arestuar.
Kush është gjyqtarja Pajtime Fetahu? Akuzat për lidhjet me bandën e “Çopjave”
Hetimet e SPAK për grupin kriminal “Çopja” zbuluan edhe lidhjet e bandës në sistemin e drejtësisë. Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu akuzohet se mori rryshfet prej 11 mijë eurosh dhe një monedhë floriri. Ajo kërkoi nga grupi kriminal t’i blihej edhe një celular. Krahas penetrimit në radhët e policisë, grupi kriminal “Çopja” kishte të besuarit e tij edhe në radhët e sistemit të drejtësisë.
Bëhet fjalë për ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu, e cila në kuadër të kësaj dosjeje të SPAK, akuzohet për korrupsion dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sipas hetimeve të SPAK dhe komunikimeve të zbardhura në aplikacionin SKY ECC, Euronews Albania mëson se ka rezultuar se funksionarja e drejtësisë, e cila dha dorëheqjen nga detyra në prag të vetingut, ka mbajtur kontakte me anëtarët e grupit “Çopja” përmes shtetasit Arzen Mama, me të cilin gjyqtarja ka patur lidhje miqësore. Në biseda, anëtarët e grupit “Çopja” i referohen gjyqtares me nofkën “komshija”.
Këto njohje, Arzen Mama i ka shfrytëzuar, për të marrë prej ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, të dhëna e informacione lidhur me dosjet që ajo ka pasur në hetim e gjykim, ku si rezultat të hetuarit Qosja dhe Mama, i kanë dhënë shtetases Pajtime Fetahu përfitime të parregullta.
Krahas informacionit që i ka përcjellë grupit “Çopja” për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me burg” për kundërshtarin e tyre Erion Alibej më 18 shtator të vitit 2020, para se të ekzekutohej vendimi, gjyqtares i është kërkuar nga shtetasi Mikael Qosja, nëpërmjet shtetasit Arzen Mama, që ajo të ndikojë dhe të ndihmojë në lehtësimin e pozitës proceduriale të anëtarëve të grupit “Çopja”, konkretisht shtetasve Ervis Daka dhe Altin Kamami.
Sipas SPAK, është evidentuar në të paktën dy raste që gjyqtarja Fetahu ka marrë nga shtetasi Mikael Kamami (Qosja), nëpërmjet shtetasit Arzen Mama, shuma monetare si përfitim i padrejtë: 10.000 Euro, 1.000 Euro dhe një monedhë floriri si dhuratë për mbesën e porsalindur.
Gjithashtu, Euronews Albania mëson sipas dosjes dhe akuzës së ngritur nga SPAK se shtetasja Pajtime Fetahu i ka kërkuar shtetasit Arzen Mama që t’i blejë një aparat telefonik celular.
Para gjykatës së posaçme, ish-gjyqtarja mohoi akuzat dhe e prekur deklaroi se nuk ka dijeni për atë që e akuzojnë, ndërsa për mediat nuk dha asnjë prononcim.
Kush është Zihni Shahu
Zihni Shahu dha dorëheqjen rreth 7 muaj pas nisjes së procesit të vettingut, pasi ndaj tij kishte filluar hetimi administrativ dhe kërkoi të përjashtohej për 15 vjet nga e drejta për të punuar në sistemin e drejtësisë.
“Në datën 20.7.2020, subjekti i rivlerësimit, përmes postës elektronike, deklaroi për Komisionin se hiqte dorë nga detyra e magjistratit, moskandidimin në detyrë për një afat prej 15 vitesh, si dhe pas këtij njoftimi do t’i drejtohej organit kompetent, KLGJ-së, sipas ligjit për dorëheqjen”, thuhej në vendimin e publikuar nga Komisioni.
KPK vuri në dukje se pas këtij vendimi u vendos ndërprerja e procesit të vettingut ndaj tij dhe Komisioni e sanksionoi që t’i ndalohej të ishte pjesë e sistemit për 15 vjet.
 
j.l./ dita
Burimi