Kritikat e BE për mandatin e Xhaçkës, Spiropali: Do veprojmë sapo të marrim opinionin nga Komisioni i Venecias
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ka reaguar sot pas kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA, për mosdërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Në reagimin e saj në platformën ‘X’, Spiropali shprehet se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, por votimi në Kuvend demonstroi sipas saj, se vendimi i GJK ka nevojë për sqarim.
Ajo thotë se i është drejtuar Komisionit të Venecias për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën dhe se do të veprohet sipas opinionit të tyre pa humbur asnjë ditë më shumë.
Reagimi i plotë i Spiropalit:
Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.
Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh.
Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë.
i.b./dita
Burimi