Gjykata Speciale: Pjetër Shala u detyrohet 208 mijë euro viktimave
Gjykata Speciale e Kosovës ka nxjerrë të premten vendimin me të cilin e detyron ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, t’u paguajë 208 mijë euro viktimave në rastin gjyqësor ndaj tij.
Trupi gjykues tha se bëhet fjalë për tetë viktima, shkruan KosovaPress.
“Trupi gjykues gjykon se shumat e kërkuara nga mbrojtësi i viktimave pasqyrojnë shkallën dhe masat e dëmit të pësuar nga tetë viktimat dhe janë të arsyeshme. Duke e mbajtur parasysh shkallën dhe përmasat e dëmit të mësuar nga viktimat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta dhe duke vendosur për aspektet e paqarta në favor të personit të shpallur fajtor, trupi gjykues cakton shumën e gjithsej të zhdëmtimit që zotëri Shala ka përgjegjësi të paguajë në 208 mijë euro”, tha kryetarja e trupit gjykues.
“Rrjedhimisht, zotëri Shala urdhërohet t’u paguajë si kompensim për dëmin e shkaktuar 100 mijë euro viktimës 1; 10 mijë euro viktimës 3; tetë mijë euro për person viktimave 2,4,5,6,7 dhe 8; dhe 50 mijë euro bashkërisht viktimave 2,3,4,5,6,7 dhe 8”, shtoi ajo.
i.b./dita
Burimi