“Gjithçka është shkatërruar”, libanezët kthehen në tokat e tyre pas armëpushimit

“Gjithçka është shkatërruar”, libanezët kthehen në tokat e tyre pas armëpushimit

Disa mijëra civilë libanezë nisën të kthehen në shtëpitë e tyre në jug të Libanit pas arritjes së armëpushimit mes Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah.
Qytetarët morën rrugët për t’u kthyer në tokat e tyre pavarësisht paralajmërimit të ushtrisë izraelite, se disa zona nuk ishin ende të sigurta.
Në autostradën kryesore nga Bejruti kaluan makina të mbushura me njerëz dhe të ngarkuara me valixhe e pajisje shtëpiake.
Por shumë nga njerëzit që u kthyen në periferinë jugore të qytetit i gjetën banesat të kthyera në rrënoja.
“Familja ime kaloi gjithë jetën për të ndërtuar këtë shtëpi. Kemi jetuar këtu për 25 vjet dhe tani gjithçka është shkatërruar”, u shpreh një banore.
Në zonën Dahieh, qytetarët që mbërritën dhe panë atë që kishte mbetur nga shtëpitë e tyre pyetën se ku do të strehoheshin dhe se kush do të paguante për rindërtimin e banesave të tyre.
Në zonën në fjalë janë shembur të paktën 8 godina, disa prej të cilave shumëkatëshe, dhe banorët kanë humbur thuajse gjithçka.
Niveli i shkatërrimit është i madh. Ekspertët thonë se do të duhen fonde dhe financime ndërkombëtare për të mundësuar rindërtimin e qyteteve dhe fshatrave.
Por për momentin, kjo është një çështje për të cilën nuk ka folur askush.
i.b./dita
Burimi