Fjalor i paradokseve (VI)
Gazeta Dita ka nisur botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Sot po vijojmë me paradokset e renditura në shkronjat M deri në N.
Nga Fatos Tarifa
M – N
M
MAL. Më kujton gjithnjë tregimin The Snows of Kilimajaro (Hemingway).
MARTESË. Wilhelm Reich besonte se institucioni i martesës së detyrueshme është baza e kontradiktave në jetën seksuale dhe se përmes martesës së detyrueshme, familjes, ideologjisë dhe strukturave kolektive të saj, shoqëria ushtron një represion seksual mbi anëtarët e saj.
MARX (Karl). Mendimtari i parë modern dhe një “ndër liberatorët e njerëzimit” (Karl Popper).
MARRËDHËNIE. Kushtet bazë për ekzistencën e çdo marrëdhënieje të vërtetë shoqërore ose intime janë tërheqja e ndërsjellë dhe besimi reciprok. Nëse ka marrëdhënie që mund të duken të tilla pa plotësuar këto dy kushte, ato janë marrëdhënie interesi.
MATEMATIKA. Të habit, pa të emocionuar.
MATERIALIZËM. Jetojmë në një shoqëri materialiste, mes një bollëku që asnjë shoqëri tjetër nuk e ka njohur më parë. N ëkëtë shoqëri, përparësi i jepet pushtetit dhe pasurisë, pra gjësë materiale, dhe jo diçkaje kaq të padukshme, si shpirti human. Çdo ditë na thuhet se ne, si njerëz, jemi ajo çka posedojmë—prona që kemi—se lumturia jonë buron nga fitimi, nga gjërat që kemi në përdorim dhe se, sa më shumë pronë të kemi, aq më të lumtur do të jemi. Ky mesazh na përcillet në mënyrë të përsëritshme, çdo ditë, me fjalë, përmes reklamave komerciale, përmes imazheve që na rrethojnë ngado, nga mëngjesi nëmbrëmje, si dhe përmes rasteve të individëve që na paraqiten si shembuj suksesi.
MENÇURI. I mençur është ai që mëson nga kundërshtarët e tij.
MEDITIM. Vështirë të thuhet nëse është kohë e humbur apo e fituar.
MESDHEU. Origjina e njohur e gjithçkaje që sot është globale.
MËSUES. Profesioni i të gjitha profesioneve.
MIKPRITJE. Virtyt njerëzor universal, që nuk lidhet me një kohë ose me një shoqëri të caktuar.
MIRËNJOHJE. Ka shumë mënyra për të shprehur mirënjohjen; fatkeqësisht shumica e njerëzve nuk i njohin ato.
MODERNITET. Moderniteti shënoi ndërprerjen e rendit tradicional dhe shkëputjen nga tradita—nga mënyrat tradicionale të të menduarit, të sjelljes e të organizimit institucional të shoqërisë që mbështeteshin në marrëdhëniet farefisnore, në ontologjinë fetare dhe në praktikat tradicionale që ishin në mënyrë inherente konservatore. Ai filloi me industrializimin, me urbanizimin dhe me racionalizimin e shoqërisë. Edhe pse moderniteti nuk mund të kuptohet vetëm në një nivel institucional, transformimet që mundësojnë dhe realizojnë institucionet moderne të shoqërisë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e individit, për shkak të fragmentarizimit të paevitueshëm të eksperiencave jetësore individuale. Për të parën herë me modernitetin u krijua, ose doli qartazi në pah problemi i identitetit personal të individit.
MODESTI. Tipari më i bukur i një gruaje të bukur e të mençur. Padyshim një tipar i bukur edhe i burrave të mençur.
MONROE (Marilyn). Marilyn duhet të ketë thënë një të vërtetë kur shprehej se: “Një grua e di me intuitë, ose prej instinktit, se ç’është më e mira për të. Çfarë stili… cili burrë…i përmbush ëndrrat e saj”.
MOMENT. Momentet kanë një rëndësi shumë të madhe në jetën e çdo njeriu. Asnjë moment nuk duhet humbur për të qenë i pranishëm atje dhe atëherë kur për ju shfaqet një mundësi. Në fund të fundit, jetët e të gjithëve ne përbëhen nga momente të veçantë. Duke humbur një moment të dhënë, ne nuk mund ta dimë—dhe ndoshta kurrë nuk do ta mësojmë dot—se ç’mundësi kemi humbur bashkë me atë moment.
MORAL. Çdo moral është një konvencion i diktuar ngaautoriteti që dominon jetën e individit e të shoqërisë. Për shumë çështje të rëndësishme, që nuk kanë asnjë lidhje reale me moralitetin, konsideratat morale fshihen pas qëndrimeve fetare.
MOSHË. Mark Twain e ka përcaktuar atë më saktë se kushdo tjetër: “Age is an issue of mind over matter. If you don’t mind, it doesn’t matter”. Mosha e njeriut ka të bëjë, pra, me rëndësinë qëne vetë i kushtojmë moshës sonë; nëse nuk i kushtojmë rëndësi moshës që kemi, ajo nuk ka rëndësi. Njeriu fillon t’i numërojë vitet që i kanë mbetur nga jeta e tij vetëm atëherë kur nuk ka më asgjë tjetër për çfarë të mendojë. Në qoftë se njeriu vetëm rri dhe pret, e vetmja gjë që ndodh me të është se ai plaket.
MOZART. Vdiq duke mërmëritur tingujt e pjesës së timpanit të Lacrimosa.
MUZIKË. E krijuar si ushqim për shpirtin njerëzor.
N
NATË. Edhe pse afro një e treta e jetës sonë “humbet” natën, pa netë askush nga ne s’do mund të jetonte dot më shumë sesa disa ditë.
NDER. Koncepti mbi nderin merr kuptim vetëm në raport me konceptin mbi turpin. Kodet e nderit dhe të turpit janë, pra, komplementarë. Në shoqëritë tradicionale, në të cilat nderi konsiderohet një atribut kolektiv, jo individual, turpi gjithashtu përjetohet kolektivisht. Cënimi i nderit të një individi konsiderohet cënim i nderit të familjes dhe të fisit dhe një turp për familjen e për krejt fisin. Konceptet mbi nderin dhe turpin kanë pasur historikisht—dhe vazhdojnë të kenë—një rëndësi shumë të madhe në shoqëritë tradicionale. Me modernitetin, nderi filloi të shihej si një çështje personale dhe veprimet e një individi filluan të mos ndikojnë më në nderin e familjes. Sot, në shumë prej shoqërive perëndimore, nocionet e nderit dhe të turpit luajnë një rol jo fort të rëndësishëm, pasi nderi konsiderohet si një koncept i vjetruar, ndërsa turpi shihet si diçka që ka të bëjë me aspektet më private të jetës së individit.
NDËRVARËSI. Një ndër tiparet më themelore të shoqërisë së sotme globale. Ndërvarësia mes shteteve sot nuk është vetëm ekonomike, por është, gjithashtu, ndërvarësi funksionale dhe sistemike. Kjo ndërvarësi është funksionale sepse fatet e çdo shteti, përfshirë edhe fatet e aktorëve globalë kryesorë, janë të ndërvarur në kuadër të organizatave dhe të institucioneve globale—Organizata e Kombeve të Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, NATO etj.—të cilat imponojnë rregullat e tyre mbi çdo aktor të veçantë. Kjo ndërvarësi është sistemike sepse fati i të gjithë aktorëve varet, në fund të fundit, nga një sistem i vetëm, i përbashkët, që është planeti ynë: Toka. Kjo do të thotë se të gjithë ne ndajmë një sasi të kufizuar resursesh sistemike, që janë të domosdoshëm për ekzistencën dhe funksionimin e të gjitha shoqërive që popullojnë globin tonë. Të marra së bashku, këto tri forma ndërvarësie—ekonomike, funksionale dhe sistemike—krijojnë një formë historikisht unike ndërvarësie tëplotë, që është mjaft komplekse, globale dhe ekzistenciale.
NORMA SHOQËRORE. Me autoritetin e tyre detyrues, normat shoqërore luajnë një rol shumë të rëndësishëm, duke na ndihmuar të kuptojmë botën durkheimiane të Homo sociologicus, ose të atij që Alvin Gouldner e quante Homos reciprocus.
NOSTALGJI. Një tipar i gjendjes sonë humane. Si qenie njerëzore, ne ndoshta kemi nevojë të ruajmë një farë vazhdimësie narrative me të shkuarën tonë. Duke iu larguar samë shumë së shkuarës sonë, ne kemi nevojë të rikthehemi tek ajo, qoftë edhe si një gjendje e mendjes sonë. Ose, ndoshta, kjo ndodh pasi ne jemi gjithnjë në një kërkim nostalgjik për një riintegrim të vazhdueshëm në një totalitet shoqëror të ri. Marcel Proust thoshte se nostalgjia për gjërat e shkuara nuk është domosdoshmërisht kujtesa e gjërave siç ato kanë qenë. Ata që nostalgjinë e konsiderojnë një sëmundje, harrojnë se edhe e sotmja është nostalgji e së ardhmes për të sotmen e shkuar. Hannah Arendt shprehej njëlloj si kundër konservimit nostalgjik të së shkuarës, ashtu edhe kundër zhbërjes destruktive të saj.
Burimi