Dëbora bllokon disa zona në veri të vendit, njoftimi i ARRSH
Moti i keq ka përfshirë sërish një pjesë të vendit ditën e sotme.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Forcat e Armatosura dhe AKMC u kanë ardhur në ndihmë banorëve të bllokuar në zonat e thella të vendit.
Mësohet se reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonën e Vermoshit.
Nga kjo situatë bëhet me dije se autoritetet kanë angazhuar borëpastrueset për të lehtësuar kalimin e automjeteve në rrugët e prekura.
Ndërkohë sot raportohet se për shkak të motit të keq dhe stuhive detare janë anuluar lundrimet në det në gjirin e Durrësit.
Mësohet se si pasojë e reshjeve është bllokuar nënkalimi në Fushë-Mamurras.
Gjithashtu bëhet me dije se reshjet kanë krijuar probleme në autostradën Milot – Qafë-Kashar pranë nënkalimit në Fushë-Mamurras.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë apel ndaj drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë.
Lidhur me situatën e shkaktuar nga moti i keq në vend, ARRSH shkruan në një postim në rrjetet sociale se reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e inertesh të cilat janë pastruar menjëherë pa sjellë probleme në qarkullim.
ARRSH shton se në akset Ura e Zapodit-Shishtavec, në Bogë-Theth dhe në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore, por grupet e punës me mjetet borëpastruese janë në terren dhe kanë bërë pastrimin e rrugës.
Postimi i plotë:
Reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e inertesh të cilat janë pastruar menjëherë pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve:
Në Ura e Zapodit-Shishtavec, në Bogë-Theth dhe në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore,
Grupet e punës me mjetet borëpastruese janë në terren dhe kanë bërë pastrimin e rrugës,
Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë.
j.l./ dita
Burimi