Bllokohet shitblerja e pronave, agjentët imobiliarë: Të gjithë presin fushatën e rivlerësimit me 3%
Prej rreth dy muajsh tregu i shit-blerjes së pasurive të patundshme është bllokuar. Shkak është bërë propozimi i mazhorancës, për të hapur një fushatë të radhës rivlerësimi me një normë 3%.
“Njerëzit nuk po blejnë më. I kanë ndalur blerjet ka më shumë se një muaj e gjysëm. Nuk po them hezitim. Tregu ka stopuar”, thotë Dritan Ballgjini, agjent imobiliar.
“Ky është efekti i vetëm, propozimi për rivlerësimin. Është një diferencë e madhe nga tatimi aktual 15% që paguajnë qytetarët, me normën 3 % që është propozuar. Individët kursejnë ndaj dhe tregu është bllokuar”, thotë Ilda Zaloshnja, agjente imobiliare.
Agjentët e tregut i bëjnë apel mazhorancës që të marrë një vendim, në mënyrë që tregu t’i rikthehet normalitetit.
“Duhet të ndajnë mëndjen. A do miratohet një propozim i tillë apo jo, nëse po kur do të ndodhë. Nuk mund të rrinë njerëzit në pritje të një vendim që ska asnjë afat”, thote Zaloshnja.
“Rivlerësimi është ajo që tregu kërkon në mënyrë të vazhdueshme, pasi norma tatimore 15% është shumë frenuese”, tha Ballgjini.
Por a është vetëm fushata e rivlerësimit ajo që ka bllokuar tregun e pronave në vend?
“Unë mendoj se ky është i vetmi shkak. Kërkesa mbetet e lartë. Por mund të themi se kjo kërkesë ka një orientim drejt jugut apo zonave turistike. Por në çdo rast një pronë me karakteristika të mira shitet menjëherë”, sqaroi Zaloshnja.
“Nuk ka rënie të kërkesës, por mund të themi se ka një stabilizim të çmimeve. Nuk ka më rritje, përkundrazi ka tendenca rënëse në varësi të zonave.”
Fushatat e rivlerësimit po edukojnë qytetarët me idenë se një herë në dy vite do të ketë një amnisti për tatimin e pronave.
Por kjo është një zgjidhje e përkohshme, ndërkohë që qeveria refuzon të japë një zgjidhje të përhershme këtij tregu, që është ofrimi I një normë tatimore më të ulët për pronat.
i.b./dita
Burimi