Austri, mijëra studentë protestojnë për më shumë financime për universitetet
Mijëra studentë protestuan sot në Vjenë, duke kërkuar rritjen e financimit për universitetet publike në Austri, pas miratimit të buxhetit qeveritar për periudhën 2028–2030. Qeveria austriake ka parashikuar 16 miliardë euro për 23 universitetet publike të vendit, ndërsa institucionet akademike kërkojnë 18 miliardë euro për të përballuar inflacionin dhe kostot në rritje. Përfaqësuesit e universiteteve paralajmërojnë se fondet e pamjaftueshme mund të sjellin shkurtime në mësimdhënie, kërkimin shkencor dhe shërbimet mjekësore të spitaleve universitare. Pasojat pritet të prekin veçanërisht studiuesit e rinj, duke kufizuar mundësitë e tyre për punësim dhe zhvillim profesional. Universitetet theksojnë se rritja e financimit është thelbësore për ruajtjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe të kapaciteteve kërkimore.
Burimi:
kohajone.com