I vuri zjarrin apartamentit të rivalit, arrestohet 33-vjeçari

I vuri zjarrin apartamentit të rivalit, arrestohet 33-vjeçari

Policia e Vlorës ka arrestuar një 33-vjeçar, të dyshuar si autor të zjarrvënies së qëllimshme në një apartament në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje e ndodhur më 4 gusht. Sipas autoriteteve, hetimet e zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë çuan në identifikimin e të dyshuarit brenda 48 orëve. Në momentin e ngjarjes, në apartament ndodheshin dy persona, vëlla e motër, ndërsa nga zjarri u shkaktuan vetëm dëme materiale. Nga verifikimet paraprake rezulton se motivi i dyshuar i ngjarjes lidhet me konkurrencën në biznes, pasi i arrestuari dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies së apartamenteve me qira. 33-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.