Aksident zinxhir në autostradën Durrës-Tiranë, përplasen 7 automjete, rëndohet trafiku në të dyja drejtimet
Një aksident zinxhir është regjistruar mesditën e kësaj të hëne në autostradën Durrës-Tiranë, pak para Sukthit, në drejtim të Tiranës. Sipas informacioneve paraprake nga drejtues automjetesh, në ngjarje janë përfshirë shtatë automjete. Fillimisht dyshohet se janë përplasur dy makina, ndërsa pak më tej pesë automjete të tjera janë përfshirë në një përplasje zinxhir. Si pasojë, qarkullimi në drejtimin Durrës-Tiranë është problematik, duke krijuar radhë të gjata automjetesh. Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar edhe në drejtimin Tiranë-Durrës, pranë Maminasit. Për shkak të dy aksidenteve, trafiku është rënduar ndjeshëm, ndërsa kolona e automjeteve shtrihet deri afër Tiranës. Policia e Durrësit sqaron se nuk ka persona të lënduar, ndërsa pritet të japë detaje për rrethanat e dy aksidenteve.
Burimi:
sot.com.al