Aksident dramatik në Selenicë, makina përplaset me furgonin e pasagjerëve, 6 të plagosur në spital!
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme (7 shtator) në fshatin Gumenicë, në bashkinë Selenicë, ku një automjet është përplasur fort me një furgon që transportonte pasagjerë. Si pasojë e goditjes së menjëhershme, të paktën gjashtë persona kanë mbetur të lënduar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur mjetet e ndihmës së shpejtë. Të dëmtuarit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po i nënshtrohen ekzaminimeve dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor nga ekipet e urgjencës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë bllokuar perimetrin e aksidentit. Ekspertët po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave e shkaqeve që çuan në përplasjen e dy mjeteve.
Burimi:
javanews.al