Në samitin Ekonomik Ndërkombëtar ”Future Investment Initiative Europe”, ka marrë pjesë edhe Jared Kushner, nën cilësinë e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”. Ai ka folur më shumë për investimin në Sazan dhe për kryeministrin Edi Rama. ”Edi është një politikan shumë i aftë, na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon”,– tha Kushner.
Nga ana tjetër, ai nënvizoi se është shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. ”Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës, ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie.
Është një lokacion perfekt. Shumë pak km larg Italisë, 10 minuta distancë nga aeroporti i ri. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë”,- tha Kushner.
