Kronikë E Hënë, 24 Nëntor 2025 11:17
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi në mbledhjen e 21 nëntorit Projektligjin e propozuar nga dy deputetët e mazhorancës Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” i ndryshuar”. Nga gjithë mbledhja, ajo çfarë qarkulloi në media ishte një video disa sekondëshe e prerë dhe e servirur si video lajm për deputeten e PS-së Sara Mila, e cila sipas tyre miratonte projektligje që as i kishte lexuar.
Por si qëndron e vërteta?
Deputetja Mila si relatore e mazhorancës gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Komisionit paraqiti propozimet për ndryshimet në ligjin aktual, “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” i ndryshuar”, propozime këto të kordinuara nga puna e përbashkët me sekretariatin e komisionit.
“Dua t’u lexoj me radhë, është praktikisht çfarë sekretariati teknik i komisionit dhe shërbimet e përafrimit kemi punuar bashkë për këto sugjerime ndaj kam nderin ti propozoj këto si amendamente”, tha deputetja Mila e cila vijoi me vlerësimin e projektligjit si është një nismë që vjen si nevojë e drejtëpërdrejtë për të reflektuar metodologjinë e re të zgjerimit të BE me aktualitetin politik të negociatave të anëtarësimit.
Diskutimi i plotë për projektligjin në fjalë dhe amendamentet e propozuara nga deputetja Mila gjenden në regjistrimin video në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një ndër rastet e shumta se si rrjeti në emër të viralitetit dhe ushqimit të një narrative të caktuar, mbetet shumë larg së vërtetës.
