Virusi respirator sinsicial prek më së shumti foshnjat, paralajmërim për prindërit

Krahas virusit të gripit që po qarkullon aktualisht në vend, më të vegjlit janë prekur edhe nga virusi respirator sinsicial (RSV), i cili shkakton simptoma të rënda respiratore tek të porsalindurit, kryesisht tek foshnjat nga 0 deri në 6 muaj, por edhe tek ata deri në dy vjeç.
RSV prek të gjitha moshat, por rreziku më i madh është tek të porsalindurit dhe fëmijët me sistem imunitar të dobësuar, ku mund të shfaqen komplikacione serioze si bronkiolit dhe pneumonia.

Për bebet premtuese, ekspertët rekomandojnë vaksinimin kundër RSV, edhe pse aktualisht kjo vaksinë nuk është e përfshirë në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit në Shqipëri. Sipas specialistëve të imunizimit, vaksinimi mund të ofrojë një mbrojtje të rëndësishme për foshnjat, duke reduktuar rrezikun e formave të rënda të sëmundjes.

Mjekët pediatër paralajmërojnë se me uljen e temperaturave, numri i të prekurve nga RSV pritet të rritet, ndaj u bëjnë thirrje prindërve, veçanërisht nënave, që të jenë të kujdesshme ndaj çdo shenje të sëmundjes tek foshnjat. Ata këshillojnë që edhe në rastet e një viroze të thjeshtë, të monitorohet kujdesshëm frymëmarrja, temperatura dhe shenjat e mungesës së oreksit tek të vegjlit.

Shenjat që duhet të shqetësojnë prindërit përfshijnë: vështirësi në frymëmarrje, gulçim, kollë intensive, ethe të larta, dhe mungesë aktiviteti ose ushqimi tek foshnjat. Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave, rekomandohet të kontaktohet menjëherë pediatri ose qendra shëndetësore më e afërt.
Ekspertët gjithashtu po punojnë për të sjellë vaksinën kundër RSV edhe në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, veçanërisht në këtë periudhë kur virozat respiratore janë në rritje.