Landfillet klandestine pushtojnë brigjet e lumenjve nga jugu në veri. Institucionet heshtin

Landfillet klandestine pushtojnë brigjet e lumenjve nga jugu në veri. Institucionet heshtin

Tonelata mbetjesh bashkohen me ndotjen rreth inceneratorit të Elbasanit, ndërsa në rrjedhën e Shkumbinit mbërrijnë plehra të tjera nga venddepozitimet anës përroit Papër. Më tej, në Peqin, grumbuj mbetjesh dhe inertesh derdhen direkt në lumë. Dikur me ujë të kristaltë, lumi i Shkumbinit është sot një nga më të ndoturit në vend. “I gjithë lumi Shkumbin është një hotspot i madh, sepse venddepozitimet buzë Shkumbinit nuk u rehabilituan asnjëherë. Nuk e di nëse bashkitë janë duke i derdhur mbetjet në landfillin e Elbasanit” thotë Ornela Çuçi, eksperte e mjedisit. Por Shkumbini nuk është i vetmi. Nga jugu në veri, në shtretërit e lumenjve derdhen prej vitesh pirgje me plehra në venddepozitime të paligjshme, duke i ndotur ujërat me grumbuj plastike, qese që valëviten në pemët përreth...