Një studim i ri ka zbuluar se pirja e vetëm një kanaçe pije të gazuar dietike në ditë mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së mëlçisë yndyrore joalkoolike me 60%, ndërsa një pije e ëmbëlsuar me sheqer e rrit atë me 50%.
Sëmundja joalkoolike e mëlçisë yndyrore (NAFLD), e njohur gjithashtu si MASLD, shfaqet kur dhjami grumbullohet në mëlçi tek njerëzit që konsumojnë pak ose aspak alkool dhe mund të çojë në cirrozë ose kancer të mëlçisë. Ekspertët paralajmërojnë se rastet e NAFLD në Shtetet e Bashkuara janë rritur me 50% gjatë tre dekadave të fundit, duke prekur rreth 38% të popullsisë.
“Pijet dietike, të cilat shpesh konsiderohen më të shëndetshme, në fakt shoqërohen me një rrezik më të lartë të MASLD edhe në doza të moderuara, si një kanaçe në ditë,” tha Lihe Liu, autore kryesore e studimit nga Universiteti Suzhou në Kinë. Konsumi i tyre lidhet gjithashtu me një rrezik më të lartë vdekjeje nga sëmundjet e mëlçisë.
Studimi përfshiu 124,000 persona pa sëmundje të mëlçisë, pjesëmarrës në Studimin British Biobank, dhe tregoi se zëvendësimi i pijeve të ëmbla me ujë ul rrezikun me deri në 15%, ndërsa zëvendësimi me pije dietike nuk ofron mbrojtje të ngjashme.
Ekspertët theksojnë se sheqeri i tepërt rrit glukozën dhe insulinën në gjak, duke favorizuar akumulimin e yndyrës në mëlçi, ndërsa pijet dietike mund të prishin mikrobiomën dhe ndjesinë e ngopjes, duke stimuluar dëshirën për ushqime të ëmbla.
“Hulumtimi tregon se uji mbetet zgjedhja më e shëndetshme për të mbrojtur mëlçinë,” tha Sajid Jalil, profesor i gastroenterologjisë në Universitetin e Stanfordit. Studiuesit paralajmërojnë se MASLD po bëhet një problem global shëndetësor dhe përdorimi i pijeve të ëmbla, qoftë me sheqer apo dietike, duhet të rishikohet në dietë.
