![Sot protesta e opozitës, mbi një mijë efektivë policie në terren, çfarë pritet të ndodh](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2025/02/sot-protesta-e-opozites-mbi-nje-mije-efektive-policie-ne-terren-cfare-pritet-te-ndodh_67a71011a6203.png-730x440-lajmidites.com.webp)
Sot protesta e opozitës, mbi një mijë efektivë policie në terren, çfarë pritet të ndodh
Sali Berisha
TIRANË- Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës. Kreu i PD-së, Sali Berisha ftoi ditën e djeshme qytetarët të marrin pjesë në mosbindjen civile, që ndryshe nga protestat e mëparshme që mbahej në zona të ndryshme të kryeqytetit, sot do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë. Kryedemokrati do të marrë gjithashtu pjesë në këtë protestë, i cili do të shoqërohet nga dhjetra të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe do të marshojnë nga selia blu drejt Kryeministrisë. Por, ndryshe nga më parë, Berisha nuk tregoi asgjë rreth skenarit të kësaj proteste. Ai u shpreh vetëm se kjo protestë do të jetë ndryshe nga ato të mëparshmet.
Policia e Shtetit ka marrë masa për të menaxhuar protestën, duke bllokuar disa nga akset që të çojnë drejt bulevardit. Në këtë protestë do të jenë do të angazhohen rreth një mijë forca policore për mbarëvajtjen e protestës.
Zonat që do të bllokohen janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi”Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Opozita ka kërkuar 3 orë leje për protestën që do të zhvillohet nga ora 17:00 deri në orën 20:00./ZËRI
Burimi