
Politico: Evropianët folën për Ukrainën për vetëm 15 minuta, Zelenskyy mori… buzëqeshje, përqafime por jo angazhime!
Foto ilustruese
KIEV- Ndonëse e djeshmja ishte një takim i këndshëm dhe ndryshe për përditshmërinë e Volodymyr Zelenskyy-t, i cili përveç vuajtjeve të luftës, tani duhet të përballet edhe me qëndrimin thuajse armiqësor të SHBA-së dhe Donald Trump-it, pyetja tashmë është e qartë për Ukrainën: Çfarë saktësisht dhe sa shpejt mund të ofrojë mbështetje Bashkimi Evropian për Kievin?
“Politico” shkruan se nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, liderët e Bashkimit Evropian i kanë ofruar presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy shtrëngime duarsh të ngrohta dhe foto. Megjithatë, nevoja më urgjente – mbështetja e drejtpërdrejtë ushtarake për Kievin – nuk u shoqërua me angazhime të reja konkrete. Ukraina po përballet me ndërprerjen e ndihmës ushtarake dhe inteligjencës nga SHBA-të, pasi administrata Trump rrit presionin ndaj Zelenskyy-t për të kërkuar një marrëveshje të shpejtë paqeje me Vladimir Putin.
Përpara Samitit, diplomatë nga vendet që mbështesin fuqishëm Ukrainën shprehën shpresën se do të dilnin angazhime të reja që do të forconin pozicionin e Kievit.
“Ne duhet të mbështesim Ukrainën tani më shumë se kurrë,”-tha kreu i diplomacisë evropiane, Kaia Kallas, përpara takimit. Megjithatë, pavarësisht shfaqjeve publike të mbështetjes dhe paraqitjes së Zelenskyy-t së bashku me Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa-n, vendimi përfundimtar i liderëve të BE-së u fokusua kryesisht në forcimin e sektorit të fragmentuar të mbrojtjes evropiane.
Diskutimet e pafundme rreth mbrojtjes
Axhenda e Samitit tregoi qartë prioritetet e evropianëve! Udhëheqësit i kushtuan shumicën e 10 orëve të diskutimeve mënyrës sesi do të financohej një paketë ndihme për mbrojtjen prej 800 miliardë eurosh dhe sa nga këto para do të ndahen për kompanitë evropiane apo jo evropiane. Po për Ukrainën? Sipas një diplomati të BE-së, diskutimet për Kievin kanë zgjatur vetëm 15 minuta. Kjo i thotë të gjitha!
Hungaria bllokon unitetin e BE-së
Komunikata e përbashkët për Ukrainën nuk u miratua nga të gjithë anëtarët e BE-së, pasi kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili mban një qëndrim miqësor ndaj Moskës, votoi kundër. 26 vendet e mbetura vazhduan me nënshkrimin e një deklarate që vendos kushte për bisedimet e ardhshme të paqes, por pa shuma apo objektiva specifike. Olaf Scholz, kancelari gjerman në largim, u përpoq të minimizonte rëndësinë e qëndrimit hungarez: E kanë bërë edhe më parë. Nuk do të thotë se Bashkimi po përmbyset.
Zelenskyy bën thirrje për mbështetje të menjëhershme
I veshur me uniformën e zezë që ka vendosur si simbol të periudhës së luftës, Zelenskyy mbërriti në samit me kërkesa specifike: përshpejtim të krijimit të një mekanizmi financiar evropian për ndihmën ushtarake për Ukrainën; paketë të re sanksionesh kundër Rusisë; konfirmimin e planit të anëtarësimit të Ukrainës në BE deri në vitin 2030.
Një diplomat evropian, duke folur në mënyrë anonime, mbrojti qasjen e BE-së, duke vënë në dukje se puna për paketat e ardhshme të ndihmës ushtarake po vazhdonte, me pjesëmarrjen e shteteve jo-evropiane, si Mbretëria e Bashkuar. Përpara Samitit, Kallas kishte propozuar mbledhjen e të paktën 20 miliardë eurove për ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2025.
Pavarësisht zhgënjimeve, Zelenskyy mori disa angazhime konkrete – por jo nga BE-ja. Norvegjia njoftoi se do të dyfishojë ndihmën e saj ushtarake, duke kapur në 8 miliardë euro për vitin 2025.
Boshllëku në ndihmën amerikane
Pyetja e madhe që varet mbi këtë çështje është nëse BE-ja mund të zëvendësojë apo plotësojë boshllëkun e lënë nga ndërprerja e mbështetjes ushtarake amerikane. Kryeministri i Estonisë, Kristian Michal e ngriti çështjen drejtpërdrejt në samit: A e bëjmë dot vetë?
Përgjigja ishte heshtja.
BE-ja në përgjithësi i ka dhënë Ukrainës më shumë para sesa SHBA-ja që nga fillimi i pushtimit rus, por humbja e ndihmës ushtarake amerikane lë një boshllëk të madh, veçanërisht në fusha të tilla si inteligjenca ushtarake dhe shënjestrimi i armëve precize. Në të njëjtën kohë, një raport i NBC News raportoi se SHBA mund të kufizojë angazhimet e saj të mbrojtjes ndaj NATO-s, duke mbështetur vetëm vendet që ndajnë një përqindje të caktuar të GDP-së së tyre për mbrojtjen.
Kështu, pasiguria rreth qëndrimit të Uashingtonit ka shkaktuar një krizë gjeopolitike në Evropë./ZËRI
Burimi