
Kurti ndan rreth 6.7 mln euro për t’ia paguar Pacollit për Hotel ‘Grandin’
FOTO ILUSTRUESE
KOSOVË-Qeveria e Kosovës ka ndarë 6.7 milionë euro për t’i paguar për kompaninë “Mabco Construcion” të Behgjet Pacollit për rastin e Hotel “Grandit”, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Në vendim bëhet e ditur se shuma të cilën Qeveria ka qenë e detyruar për ta ndarë për kompaninë e Pacollit është 6,740,000.00 Euro.
5.3 milionë euro ndahen për dëmshpërblim dhe kamatë, rreth 400 mijë euro për koston e përfaqësimit dhe mbi 1.1 milionë dollarë në emër të kostos së arbitrazhit.
DOKUMENTI
Në fillim të këtij viti, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore vendosi që deputetit Behgjet Pacolli t’i kthehen mjetet që kishte dhënë për blerjen e 40 për qind të aksioneve në hotelin “Grand”, në vitin 2006 kur u privatizua.
Pacolli, në arbitrazh ka deklaruar se Berisha nuk i ka pasur mjetet e nevojshme, të cilat i ka ofertuar për blerjen e “Grandit”. Në pamundësi që ta përballojë investimin, nëpërmjet personave të tjerë, Berisha, sipas Pacollit, ka kërkuar që ai dhe Ejupi, jo zyrtarisht të përfshihen në blerjen e hotelit. Pacolli pretendon se ka paguar rreth 4 milionë euro për 40 për qind të aksioneve në “Grand”. Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se “Hotel Grandi” do të mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës.
Hoteli Grand për herë të parë hapi dyert në prill të vitit 1978. Atë kohë konsiderohej si një nga ndërtesat ikonë të kryeqytetit, derisa sot thuajse e gjithë fasada e jashtme e tij është e mbuluar nga reklama të bizneseve e produkteve të ndryshme./ZËRI
Burimi