I dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, Gjykata lë në burg Andrew Boden: Nuk kam lidhje me atentatin
Andrew Bode ne gjykate
TIRANË- Ka dalë sot përpara Gjykatës së Tiranës, Andrew Bode, i arrestuar dy ditë më parë në Memaliaj, pasi ishte në kërkim prej dy vitesh, si një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e Selitës në Tiranë.
Gjykata la në fuqi masën e arrestit me burg për Boden, i cili pretendoi se nuk kishte lidhje me vrasjen.
“Nuk kam lidhje me vrasjen. Nuk jam dorëzuar deri tani se nuk kam pasur besim te drejtësia, do të bëj kallëzim dhe për ta.”, u shpreh Bode, i cili fillimisht qëndroi pas murit, duke tentuar t’u fshihej kamerave. Ai u arrestua në një operacion ku morën pjesë edhe forcat RENEA, së bashku me Julian dhe Adriatik Kalemin.
Andrew Bode, 45 vjeç, me origjinë nga Berati, dyshohet të jetë ekzekutori i Edmond Papës në 16 dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pas atentatit me tritol ndodhur në të njëjtin vit në Tiranë, ku mbeti i vrarë Aleksandër Sadikaj, nip i fisit Kalemi në Memaliaj.
Dyshohet se Bode ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa u ndihmua nga Albano Velo për të eleminuar Papën.
Si u ekzekutua Edmond Papa
Papa u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku” Tiranë. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje. Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.
Dyshohet se saga e hakmarrjes mes fisit Kalemi dhe grupit që drejtohej nga biznesmeni Papa, ka nisur për shkak të përplasjeve që kanë të bëjnë me trafikun e drogës. /ZËRI
Burimi