Granata, fishekë e bomba, Policia e Kosovës sekuestron tjetër arsenal armësh në veri

Granata, fishekë e bomba, Policia e Kosovës sekuestron tjetër arsenal armësh në veri

Arsenali i armëve i sekuestruar

KOSOVË- Policia e Kosovës ka konfiskuar granata dore, municion dhe pajisje të tjera ushtarake mbrëmjen e së premtes në fshatin Banjskë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Në një komunikatë të shtunën, policia tha se pjesëtarët amerikanë të misionit paqeruajtës të KFOR, kishin hasur në mjete të dyshimta në një mulli të vjetër dhe braktisur në Banjskë – fshatin ku më 2023 ndodhi një sulm ku mbeti I vrarë punonjës i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Policia tha se ka konfiskuar uniforma ushtarake, tre gjoksore për mbajtje te armatimit, tre granata dore, tre karikatorë të zbrazët të armës së gjatë, dy shokë bomba, një bombë ndriçuese dhe 28 fishekë të armës së gjatë.  Kjo është hera e dytë brenda rreth një jave që autoritetet kosovare konfiskojnë pajisje ushtarake në veri të vendit.
Më 28 shkurt, Policia e Kosovës kreu një aksion në fshatin Rodel të Leposaviçit, ku konfiskoi uniforma ushtarake, armë dhe municion.
Sipas autoriteteve, armët dhe municioni i gjetur në Leposaviq i takonin pjesëtarëve të organizatës Mbrojtja Civile – e shpallur terroriste në Kosovë. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, thanë më 28 shkurt se konfiskimet në Leposaviç dëshmonin se pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e Kosovës.
Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i tensionuar nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e vrarë një rreshter. Në luftimet që pasuan u vranë tre pjesëtarë të grupit sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon përfshirjen./REL
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente