
Berisha thirrje për protestë për Tiktok, Rama: Apeli i bufit duhet marrë seriozisht si simptomë lajthitje
Edi Rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar edhe njëherë arsyet e mbylljes së rrjetit social “Tik Tok”. Në fjalën e tij, Rama thekson se vendimi u mor vetëm për mbrojtjen e fëmijëve. Duke shtuar se rrjeti social do të mbahet i mbyllur deri në momentin që kompania të marrë masa për mbrojtjen e përdoruesëve shqiptarë. Në deklaratën e tij, kryeministri Rama ironizoi dhe thirrjen e kreut të opozitës, Sali Berisha, për bojkotimin e mësimit dhe protesta.
Edi Rama: Bufi i kënetës u bën thirrje fëmijëve që të protestojnë për mbylljen e TikTok dhe prindërve u kërkon që të bashkohen me fëmijët dhe të dalin në shesh për TikTok. Kjo është këneta jonë opozitare, kjo ka qenë dhe kjo do të jetë, derisa të ketë bufin që shikon nga ballkoni të gjithë gjindjen opozitare. Duke i kthyer përfaqësuesit e popullit opozitar në disa zvarranikë politikë që pickojnë çorbën e debatit. 95% e prindërve të pyetur na thanë mbyllni “TikTok” një orë e më parë. U futëm edhe në një dialog me TikTok dhe presim të shohim planin e premtuar prej saj për sigurinë e shtuar ndaj fëmijëve tanë. Kompania na ka thënë që do e vëjë në dispozicion brenda pak muajsh. Nuk ka të bëjë gjëkundi me lirinë e fjalës dhe është një mbyllje që unë uroj që të jetë e përkohshme. Por do të zgjasë sa kohë kompania do të na japë një plan bindës për sigurinë dhe edukimin e fëmijëve. Nga ana tjetër, apeli i bufit të kënetës për fëmijët që të mos shkojnë në shkollë duhet marrë seriozisht si një simptomë lajthitje. Nuk është më për të qeshur kur shkon tek fëmijët. Edhe një gjë për disa që të shkruajnë “je trembur, ke nisur që të merresh me bufin se nuk e zije me gojë prej kohësh’; kjo nuk është trimërie as frike se nuk është luftë për jetë a vdekje. Është punë ardhmërie apo fikje për Shqipërinë.
Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë. Brenda këtyre 12 muajve, sipas Manastirliut, qeveria shqiptare do të vijojë të ketë komunikime me përfaqësuesit e platformës në fjalë për vendosjen e filtrave shtesë. Në këtë mënyrë, pas 12 muajve, do të merret vendimi për rihapjen e “Tik Tok” në Shqipëri, por me rregulla krejtësisht të reja që do të ndikojnë në mirëqenien dhe jetën e përditshme të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë./ZËRI
Burimi