‘Atëherë s’e doja, tani e dua Edi Ramën’/ Kush janë 4 “tradhëtarët” e opozitës, u bënë me PS

‘Atëherë s’e doja, tani e dua Edi Ramën’/ Kush janë 4 “tradhëtarët” e opozitës, u bënë me PS

Foto ilustruese

TIRANË- Partia Socialiste i ka marrë 3 emra demokratëve dhe i ka futur në listat e saj si kandidatë për deputetë. Edhe pse nuk janë “shpërblyer” me një vend në listat e mbyllura sërish garojnë nën një sigël tjetër. Në Vlorë, PS ka vendosur që të fusë në garë Zamira Sinën, dekane në Universitetin e Vlorës. Gjatë prezantimit të emrave të listës, drejtuesi politik i qarkut, Bledi Çuçi i parapriu lajmeve duke treguar se Sina kishte qenë mbështetëse e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Madje kishte mbajtur edhe një fjalim në “çadrë” e vitit 2017.
“Zamira Sina është dekane e Fakultetit Ekonomik në Vlorë. Do iu dali që ka qenë në çadrën e famshme në vitin 2017 ku ka mbajtur një qëndrim me problemet e arsimit. Kur e kam takuar në Vlorë, e pyeta për këtë çështje dhe i thashë ‘si ka mundësi që ke qenë atje dhe ke thënë këto gjëra’, dhe ajo më tha ‘atëherë nuk e doja Edi Ramën, tani e dua Edi Ramën’,”-shpjegoi Çuçi 
Një tjetër emër që “rrëshqiti” nga lista e PD-së ishte edhe Sterjovski. Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski sot në mëngjes dorëzoi shkresën në KQZ, ku kërkonte tërheqjen nga koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Në një prononcim për mediat, Sterjovski bëri me dije se arsyeja e tërheqjes ishte për shkak se kishin kërkuar një kandidat në listën e hapur të Qarkut të Korçës, por kjo kërkesë u ishte refuzuar nga ana e demokratëve. 

Nuk kaloi shumë kohë dhe e gjeti një “strehë të re” duke haruar për qarkun e Korçës. Por kalimi duket se nuk i shërbeu për gjë pasi edhe socialistët e kanë lënë në listën e hapur.  Edhe në vitin 2021, Vasil Sterjovski i Aleancës së Maqedonasve ka qenë kandidat për deputet nën logon e PS-së në Qarkun e Korçës, por nuk arriti të shpallej fitues. Ai mori mandatin e deputetit vetëm në vitin 2019, kur opozita vendosi të djegë mandatet e saj.
Një tjetër “rrjedhje” është shënuar nga demokratët. Ish-deputeti i Partisë Demokratike Alban Zeneli i është bashkuar skuadrës së Partisë Socialiste. Por do të garojë në listën e hapur! Alban Zeneli ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën 2013-2017.

Edhe pse jo i Partisë Demokratike, një tjetër ikje nga kampi opozitar është edhe Endrit Brahimllari. Pas shumë përplasjeve me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Brahimllari tha pak javë më parë se kërkonte që të angazhohej pranë Partisë Socialiste.

E mesa duket kërkesa që bëri publikisht në një intervistë “ra në veshin e duhur”. Tashmë, ai është i vendosur në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës dhe i duhet që ta fitojë vetë vendin në Kuvend./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente