
“Për Shqiptarët”/ Historia e trishtë e Liljanës, bashkëshorti ndërroi jetë nga tumori! Amaneti i fundit: Ngopu fëmijëve barkun me bukë
Edhe këtë të premte, emisioni i të gjithë shqiptarëve “Për shqiptarët” solli histori që prekin zemrat e të gjithëve.
Në një qytet të vogël, në një shtëpi të vjetër, ku muret e lagështa mbanin erën e mykut e uji pikonte në dhomë sa herë binte shi, jetonte Liljana me bashkëshortin e dy fëmijët e vegjël, Sidorela e Franko.
Liljana u njoh me Ardianin në moshën 35 vjeçare. U njohën me shkuesi por u dashuruan shumë shpejt me njëri tjetrin.
Liljana ishte rritur në një shtëpi të vogël me motrën, vëllain e nënën, pasi babai kishte ndërruar jetë kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. E duke u rritur ëndërronte të njihte dikë që do i ndryshonte jetën, dikë që do e ndihmonte të realizonin dëshirën e saj për të jetuar në një shtëpi të madhe e të ngrohtë, bashkë me fëmijët e tyre. Sapo e takoi Ardianin, e kuptoi se ai ishte njeriu me të cilin do e bënte këtë ëndërr realitet.
Ardiani jetonte në Lushnjë në një shtëpi me qira, e shumë shpejt iu bashkua edhe Liljana. U bënë prindër të dy fëmijëve si drita, që i dhanë ndriçim asaj shtëpie të errët e të zymtë.
Ëndrrat ishin të mëdha, por me kalimin e viteve nisën të zbehen. Liljana dhe Ardiani përpiqeshin shumë, por nuk po mundeshin të mblidhnin mjaftueshëm të ardhura sa për të blerë shtëpinë e tyre. Jeta ishte shumë e vështirë. Kur vinte darka, nuk kishte mjaftueshëm ushqim për të shtruar në tavolinë. Shumë herë fëmijët kanë fjetur të uritur, e Liljana i shihte nga pragu i dhomës me zemrën e thyer e duart bosh.
Ardiani lodhej shumë, punonte gjithë ditën e përsëri nuk shihte asnjë shpresë për familjen e tij. Trishtimi, lodhja, mërzia që nuk mund të plotësonte dëshirat e fëmijëve, e vunë poshtë. Gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej dita ditës dhe mjekët e njoftuan se kishte tumor në mëlçi. Qëndroi për 2 javë në spital, por nuk kishte më shpresë. Tumori po përhapej me shpejtësi në mushkëri. Doktorët i sugjeruan Liljanës të ktheheshin në shtëpi, që ditët e fundit Ardiani t’i kalonte pranë fëmijëve.
Për Liljanën kjo ishte një tronditje e madhe.E gjitha ndodhi shumë shpejt, nuk patën kohë as të kuptonin si dhe pse. Pse pikërisht ata duhet ta kalonin këtë vuajtje kaq të madhe?
Liljana i qëndroi Ardianit te koka, teksa ai jepte shpirt çdo ditë nga pak. Sytë e Ardianit shfaqnin vetëm dhimbje, dhimbje që nuk do i çonte dot më fëmijët te lodrat, që nuk do i përqafonte e nuk do ishte aty për t’i këshilluar kur ata të rriteshin e të kishin më shumë nevojë për të.
Ishte data 23 shtator. Momenti që Liljana i druhej erdhi… Ardiani e ndjeu se ishin minutat e fundit. Sidorela dhe Franko donin të qëndronin afër babait. Franko kishte pasur një parandjenjë të keqe dhe nuk donte të largohej nga i ati, por Liljana i gënjeu. Iu tha se babi do ishte mirë prandaj ata duhet të shkonin në shkollë, e kur të ktheheshin ai do ishte aty për t’i pritur.
Kur ata ikën, Ardiani me zërin e dobët nga pafuqia e pyeti Liljanën: “A je bërë gati? I ke lekët për varrimin tim?”
Zemra e Liljanës u copëtua. Edhe në frymën e tij të fundit Ardiani ishte i shqetësuar për ata, e jo për vete.
Ai iku pas me merakun për fëmijët e Liljanën. Iku pa iu lënë një shtëpi të ngrohtë. Nuk e mbushi dot kurrë frigoriferin plot. Nuk i bleu kurrë fëmijëve dhuratat që kërkonin. Iku me një amanet. “Ngopu fëmijëve barkun me bukë”. E ky amanet i rëndon shpirtin Liljanës.
Shtëpia është ende me qira, frigoriferi bosh, faturat nuk ndalen dhe ndonjëherë ajo ndjen sikur po mbytet.
Ajo ka nevojë për ndihmë, sepse e vetme nuk ia del dot.
Top Channel
Burimi