“Frikë” nga dominimi aziatik, BE miraton fabrikën e gjysëmpërçuesve në Dresden
Komisioni Europian i dha dritën jeshile ndërtimit të një fabrike të re të prodhimit të gjysmëpërçuesve të silikonit në Dresden, pak pas njoftimeve se gjigandi tajvanez i gjysmëpërçuesve TSMC po ngre qendrën e tij të parë në Europë.
Nga sa pohojnë mediat në Gjermani, liderët europianë po tentojnë të shmangien varësinë nga rajone të tjera të botës për furnizimet me gjysmëpërçues, të cilat konsiderohen të një rëndësie kyçe për një sërë produktesh elektronike, që nga kompjuterët dhe makinat e deri tek raketat.
Miratimi i lejon qeverisë federale gjermane të sigurojë një mbështetje financiare prej 5 miliardë eurosh për Kompaninë e re Europiane të Prodhimit të Gjysëmpërçuesve (ESMC). Në një deklaratë të Komisionit theksohet se kjo masë do të forcojë sigurinë e furnizimit, elasticitetin dhe sovranitetin digjital të Europës në fushën e teknologjive gjysëmpërçuese, ndërsa do të kontribuojë në të njëjtën kohë në arritjen e tranzicioneve digjitale dhe ekologjike.
KE thotë se ESMC është një sipërmarrje e përbashkët midis kompanisë tajvaneze dhe tre kompanive europiane: Bosch dhe Infineon në Gjermani dhe NXP dhe Holandë. Masa cilësohet e nevojshme dhe e përshtatshme për të siguruar qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit të gjysmëpërçuesve të Europës. Prodhimi pritet të fillojë në vitin 2027.
Top Channel
Burimi