Rama, thirrje për çmimet në plazhet e Jugut: Vetëvrasje!

Rama, thirrje për çmimet në plazhet e Jugut: Vetëvrasje!

Kryeministri Rama ceku çështjen e rritjes së çmimeve në sezon, në hoteleri dhe shërbime, kryesisht në zonën bregdetare të Jugut, duke përcjellë mesazhin se kjo mund të shndërrohet në boomerang.
Gjatë një takimi me 61 kryebashkiakët e vendit, Rama i këshilloi bizneset në Jug që të ndalin rritjen, siç tha ai, “të palogjikshme” të çmimeve, pasi sipas tij, kjo është një vetëvrasje në terma ekonomikë, pasojat e së cilës do të ndihen më shumë në sezonet e ardhshme turistike.

“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë apo imponojmë dot.
Në Vlorë Ermal(kryebashkiaku i atyshëm Ermal Dredha), në Sarandë Olti(kryebashkiaku i atyshëm Olti Çaçi) ku janë dy pikat e një rritje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Para se të jetë vonë, duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme”, arsyetoi Rama.
Kryeministri u ndal në veçanti te ajo që po ndodh me çmimet në Vlorë, duke thënë se vlonjatëve iu ka dalë syri dhe nami, ndaj me këtë strategji që po ndjekin do të bien në gropën e gjoksit të tyre.
“Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabël. Vlonjatët janë molla e këtij sherri sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë çmimet në këtë far feje.
Nuk më vjen keq për ta, por është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur sapo kemi hyrë në Champions League-n e turizmit të Mesdheut. Më mirë syri sesa nami.
Vlonjatëve ju kanë dalë edhe sytë edhe nami dhe ju kanë dalë edhe trutë nga vendi atyre që kanë bërë ato hotelet. Duhet të zbresim pak me këmbë në tokë, nuk ua thua dot vlonjatëve, por të paktën të zbresim në kat të dytë.” /tesheshi.com/
Burimi