Pse ky shkrimtar i flet ende botës një shekull pas vdekjes?
The Economist
Franc Kafka nuk ishte një person social. Ai e kalonte vetëm pjesën më të madhe të kohës, duke u përpjekur dhe shpesh duke dështuar që të shkruante. Por në rrjetet e sotme sociale në botën dixhitale ai është bërë një hit.
Postimet e #Kafka në TikTok, janë parë rreth dy miliardë herë. Përdoruesit – sidomos vajzat e reja – marrosen pas letrave të tij plot të ndjera drejtuar Milenës, të dashurës së tij. Kafka është “djali i dashuruar i OG”, lexohet në një status poshtë videos së një vajze që mban veshur një bluzë ku shkruhet “Të lexosh është seksi!”.
Postime të tjera flasin për marrëdhënien e tij toksike me të atin, e përjetësuar në një letër, që nuk iu dorëzua kurrë këtij të fundit, dhe në të cilën Kafka e fajëson atë për abuzim emocional. Një shekull pas vdekjes së tij më 3 qershor 1924, Kafka josh ende shumë njerëz, dhe jo vetëm të varurit nga mediat sociale.
Trashëgiminë e tij letrare e nderojnë një grumbull librash të rinj, nga përkthimet e reja të veprave të tij të pakta, deri tek një libër mbi menaxhimin me titull “Franz Kafka dhe të vërtetat e udhëheqjes”.
Biblioteka Bodleian në Universitetin e Oksfordit – ku që nga viti 1961 gjenden shumë dorëshkrime origjinale të shkrimtarit, të çuara atje nga Zyrihu nga një aristokrat – po hap një ekspozitë.
Ndoshta për vetë Kafkën, pavdekësia letrare do të ishte një surprizë, dhe mbase dhe një tradhti. Ai nuk ishte i famshëm kur nderoi jetë nga tuberkulozi në moshën 40-vjeçare, dy vjet pasi la punën në Institutin e Sigurimit të Aksidenteve të Punëtorëve në Pragë.
Ai nuk kishte as grua dhe as fëmijë, dhe në testament e udhëzoi mikun e tij më të ngushtë, shkrimtarin Maks Brod, që t’i digjte të gjitha shkrimet e tij të pabotuara. Fatmirësisht Brod nuk e bëri këtë. Përkundrazi, ai punoi shumë për të ndërtuar trashëgiminë e Kafkës.
Falë tij, Kafka është bërë një emër shumë i njohur, me shumë njerëz që vazhdojnë të tërhiqen nga absurditeti i trillimeve të tij letrare, përfshirë novelën e famshme “Metamorfoza”, në të cilën një shitës ka fatin e keq të zgjohet një mëngjes i shndërruar në një insekt të madh.
Madje ai ka krijuar një fjalë për t’i folur botës: “kafkian”.
I krijuar për herë të parë në fundin e viteve 1930, ky term përdoret zakonisht për të përshkruar situata makthi, komplekse dhe të palogjikshme, nga hetimet e qeverisë, te linjat e shërbimit ndaj klientit, dhe deri tek episodet që nuk të çojnë askund.
Kufizimet për shkak të pandemisë së Covid-it në shumë vende – nga karantinat tek ndalimet e udhëtimit që ndryshonin me shpejtësi – nxitën shumë njerëz të mendojnë për Kafkën. Po pse ky hebre i sëmurë austro-hungarez nga Praga, me një marrëdhënie problematike me babain, por edhe shumë i tërhequr nga shoqëria, ka kaq shumë ndikim në kulturën moderne?
Statusi i Kafkës, i detyrohet pjesërisht portretizimit të tij parashikues të njërës prej përvojave përcaktuese të jetës moderne: bashkë-ekzistencës së racionalitetit dhe absurdit. Shembulli më i njohur është “Procesi”, një roman i botuar një vit pas vdekjes së Kafkës, dhe që rrëfen historinë e një njeriut të ndjekur penalisht nga një autoritet misterioz për një krim të panjohur.
Lexuesit, përfshirë filozofen Hannah Arendt, e kanë cilësuar atë histori si një pararendëse të totalitarizmit.
Romani “Kështjella” (botuar në vitin 1926), rrëfen përvojën e një topografi që mbërrin në një fshat dhe që ia del të njihet nga autoritetet, të cilat drejtojnë gjithçka nga një kështjellë misterioze.
Por fama e Kafkës, nuk është vetëm produkt i talentit të madh letrar dhe i temave të veçanta që trajtoi. Ai pati edhe fat, siç argumenton Karolina Vatroba, studiuese në Oksford, në librin e saj “Metamorfozat: Në kërkim të Franc Kafkës”. Kafka shkroi në gjermanisht, një gjuhë e folur gjerësisht, në vend të çekishtes provinciale.
Po ashtu, ai përfitoi nga miqësia me Maks Brod, një menaxher i aftë në fushën e botimeve, i cili mblodhi fragmentet dhe i redaktoi tekstet e tij. Emri i tij është i lehtë për t’u mbajtur mend. Po ashtu, identiteti i tij fluid, i dha mundësinë të jetë pjesë e shumë traditave letrare, pa u kufizuar tek ndonjëra prej tyre.
Ai lindi në “një perandori të kalbur e të pafuqishme” siç ishte Austro-Hungaria, “e cila do të zhdukej nga harta gjatë jetës së tij”, shkruan ndër të tjera Vatroba. Ai nuk mund të quhet vetëm çek, gjerman apo austriak. E megjithatë ai nderohet nga të tria kulturat.
Ndonëse nuk shkroi asnjëherë mbi ndonjë personazh të qartë hebre, hebrenjtë mburren me të, dhe disa nga letrat e tij ruhen në Jeruzalem.
Në të njëjtën kohë, përshkrimi prej tij i burokracisë shtypëse dhe dhunës së pakuptimtë ka ndikuar tek shumë shkrimtarë, duke përfshirë autorë izraelitë dhe palestinezë kritikë ndaj Sionizmit, si Mahmud Dervish.
Një nga arritjet më të mëdha letrare të Kafkës, është aftësia e tij për të ndryshuar (metamorfozuar), në varësi të audiencës së tij. Historitë e tij të qarta dhe të paharrueshme rrugëtojnë mirë në kohë. Në dallim nga trillimet shumë komplekse të shkrimtarëve të tjerë modernistë, si Xhejms Xhojs, vepra e Kafkës është e lehtë për t’u rrokur, edhe pse një pjesë e nëntekstit mbetet e pakapshme për shumicën.
Përtej Perëndimit, ku ai ka qenë një frymëzues për të gjithë letrarët, nga Gabriel Garsia Markez tek Pol Oster, Kafka ka një audiencë të madhe në Azi. Në Korenë e Jugut, shkrimtaret femra kanë gjetur frymëzim tek ai për zbërthimin e dinamikës së tyre gjinore, veçanërisht në romanin e Han Kang “Vegjetariani”, që luan me temën e Kafkës mbi tjetërsimin psikologjik.
Megjithëse ishte larg të qenit një njeri optimist – në Univers ka një sasi të pafundme shprese, por “jo për ne”, thuhet të jetë shprehur në një rast – e ardhmja e Kafkës si shkrimtar duket e ndritur. Ndërsa librat e tjerë të vjetër i ka mbuluar pluhuri, thekson Vatroba, “burri nga Praga duket se i është përshtatur jashtëzakonisht mirë epokës moderne”.
Instituti Gëte, një organizatë kulturor gjermane, e ka përkthyer “Metamorfozën” në realitetin virtual. Ndaj njerëzit mund të shohin se si ndihesh të zgjohesh në mëngjes si një insekt gjigant. Vitin e kaluar studiuesit përdorën Chat GPT, një mjet i Inteligjencës Artificiale, për t’u goditur me thikë si në fundin e romanit “Procesi”.
Rezultatet janë më të mira nga sa mund ta prisnit. Bota po pasqyron ende imagjinatat e Franc Kafkës, sikur shkrimtari të ishte ende gjallë për të shkruar mbi to!
Burimi