Gjuhë m…: pse mazhoranca socialiste braktisi parlamentin?
Ndryshe nga e zakonshmja në parlamentin shqiptar, ku është opozita ajo që bojkotin, kësaj here, në seancën e së enjtes, bojkotoi mazhoranca. Pra, deputetë e qeveritare lanë sallën. Pse? Për shkak se deputetja opozitare Ina Zhupa replikoi me gjuhë të rëndë, jo etike, ndaj kolegut të mazhorancës Erion Braçe. Në fakt, edhe ky i fundit u tregua po ashtu jo etik ndaj saj. Braçe është ndër veteranët e jetës parlamentare shqiptare, ndër më të përgatiturit në çështje të caktuara të ekonomisë, tejet sfidues dhe ndaj qeverisjes së forcës së tij, por ama tejet gjuhëvrazhdë.
Po si nisi përplasja verbale mes tyre?
Zhupa kërkoi mbylljen e komisionit të dezinformimit, me kryetar Braçe, duke theksuar se qeveria po tenton të shtypë median që nuk e mbështet. Braçe reagoi me tone të ashpra, duke i thënë Zhupës se “duhet të hetohet për dizinformim”, dhe se ajo “nuk di të lexojë” dhe “nuk dëgjon”. Ai e përshkroi më tej Zhupën me kritika personale, duke i thënë “Mos u lyej me parfum, por pri thonjtë.”
Braçe u shpreh se gjatë mbledhjes së djeshme, ai nuk ka kërkuar që të hetohen gazetarët, por vetëm autorët e dezinformimit, dhe kërkoi që të hetohen personat që qëllimisht përhapin lajme të rreme për arsye politike. Ai e mbylli replikën me një goditje të fortë, duke i thënë Zhupës: “Mua ti më dukesh si ruse, por nuk je ruse”.
Siç mund të dallohet, ka teprime të shumta në gjuhën e Braçes, aq më tepër kur është fjala për një femër, e cila për më tepër është bashkëshorte dhe nënë.
Por dhe znj. Zhupa, në vend që ta sfidojë me gjuhë etike, zgjedh jo etiken në replikë, duke u marrë me tiparet fizike të deputetit socialist, që në fund të fundit është krijimi i Zotit dhe jo faj i tij. Pra, shtatshkurtësia.
“Keni një problem të madh me gjatësinë. Unë nuk i dëgjoj ata nën një metra e gjysmë. Nuk e di kush ta jep të drejtën të më quash ruse, se unë s’ia jap të drejtën e vetes të të them kone, edhe pse të thonë të gjithë. Fëmijët kur futen në çështje të të mëdhenjve, ne u themi: O Erion t’u rritë boja sa shumë m…të ha goja”, ishin fjalët e deputetes Zhupa.
Pas këtij momenti, mazhoranca la sallën e parlamentit në shenjë mospajtimi me gjuhën e saj. /tesheshi.com/
Burimi