FMN: Ç’mund ta rrezikojë “mrekullinë e turizmit” në Shqipëri

FMN: Ç’mund ta rrezikojë “mrekullinë e turizmit” në Shqipëri

Shqipëria po kalon ditë të mira në drejtim të ekonomisë, por faktorë të brendshëm e të jashtëm mund të prishin këtë ecuri.
Sipas Euronews Albania, në këtë përfundim ka dalë ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar pas një vizite katër ditore në Tiranë.
Teksa parashikon se ekonomia këtë vit do të rritet me 3.25 për qind ndërsa inflacioni do të mbetet në nivelin tre për qind, FMN tregon më konkretisht edhe mbi faktorët që premtojnë zhvillim dhe ata që paralajmërojnë për goditje të ekonomisë.
 “Një aktivitet turistik mbi pritshmëritë mund të zhvendosë balancën e rreziqeve për lart.
Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të mundshëm për poshtë, ndërkohë që ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të goditjeve të sektorit energjetik të lidhura me motin dhe një ndryshimi të papritur të kahut të kursit të këmbimit”, konkludohet nga FMN, ku pra i mëshohet dhe risqve që mund të vijnë nga krizat globale.
Më tej, potencohet si faktor negativ dhe zhvendosja demografike, ose ndryshe ikjet frenetike.
“Në afat të mesëm, progresi për reformat në planin e ri të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor mund të nxisë rritjen potenciale, ndërkohë që prirjet demografike përfaqësojnë një rrezik kyç për poshtë”, thuhet nga FMN, sipas Euronews Albania.
 
 
 
Burimi