“Tyson s’ka frikë, do të shkojë të duelojë sërish në strofkën e luanit për t’u rikthyer kampion”

“Tyson s’ka frikë, do të shkojë të duelojë sërish në strofkën e luanit për t’u rikthyer kampion”

E gjithë bota e boksit pret me padurim 21 dhjetorin, kur në Riad të Arabisë Saudite do të zhvillohet revanshi i peshave të rënda në boks mes britanikut Tyson Fury dhe ukrainasit Oleksandr Usyk. Ky i fundit fitoi në maj të këtij viti sfidën e parë me vendim shumice, duke u shpallur kampion i padiskutueshëm i botës.
Fury ka deklaruar se do të hakmerret për atë humbje dhe së shpejti do të nisë kampin përgatiror, që këtë herë do ta kryejë në Maltë. Promotori i Fury, Frank Warren, tha se këtë herë britaniku do të vijë në ring me një mentalitet të ri, duke hequr dorë nga gabimet e herës së fundit.
“Mentaliteti i tij është fitorja me KO, se duhet ta hedhë në tapet për të fituar. Mendoj se revanshi do të jetë emocionues”, tha Warren për “Sky Sports”. Pra, Fury do të kërkojë të bëjë disa rregullime në stilin e tij të boksimit në revansh.
“Tyson e di se e la fitoren t’i ikë nga duart, ndaj është motivuar shumë për të fituar më 21 dhjetor. Ai nuk kishte humbur më parë. Zakonisht, ata që humbin një duel marrin disa fitore të lehta dhe rikthehen, por Fury po shkon përsëri në strofkën e luanit. Ai nuk ka frikë, kjo është një sfidë e madhe për të”, tha Ëarren.
Më tej, Warren kujton momente nga sfida e parë: “Unë shkova dhe takova Usyk pas duelit në dhomën e zhveshjes dhe ai ishte goditur keq nga Fury. Ai e dinte se kishte qenë në një luftë. Tyson dukej në formë më të mirë sepse ai u rikuperua nga raundi i nëntë dhe fitoi raundin e fundit”.
“Të gjithë mezi presin revanshin. Sfida e parë ishte ndoshta një nga luftimet më të mira të peshave të rënda të shekullit të 21-të”, tha Frank Warren.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente