Tri barazime brenda një dite, skuadrat shqiptare paraqiten mirë në Kupat e Europës

Tri barazime brenda një dite, skuadrat shqiptare paraqiten mirë në Kupat e Europës

Dita e djeshme ishte pozitive për skuadrat shqiptare në Kupat e Europës. Kështu, Tirana luajti në Gjeorgji dhe barazoi 1-1. Ndaj Torpedo Kutaisi, bardheblutë në ndërtim e sipër, me shumë lëvizje në grupin e lojtarëve, treguan një paraqitje të mirë.
Gledi Mici shkaktoi autogol në minutën e 20-të, duke i vënë në vështirësi të tijtë, por Tirana gjeti forca për të reaguar dhe barazoi me Haxhiu në minutën e 87-të. Barazim me vlera, që e le hapur mundësinë e kualifikimit për në turin tjetër të skuadrës së Shkëmbit, pas një jave, me kthimin në Shqipëri.
Edhe Partizani barazoi njësoj si bardheblutë, 1-1. Të kuqtë e Shehit kishin mysafirë maltezët e Masaxlokk FC. Kapiteni Murataj do ta zhbllokonte rezultatin shumë shpejt, në minutën e 2-të. Nuk vonoi shumë dhe vendësit barazuan në minutën e 15-të me Yuri. Edhe për “demat e kuq”, shanset e kalimit në turin tjetër janë optimale.
Barazim i çmuar edhe për Vllazninë në Rekjavikun e largët, 2-2, edhe pse duhet thënë se vuajti gjykimin tendencioz. Deliu dhe Jukaj u ndëshkuan me kartonë të kuq, ndaj do të mungojnë në sfidën e kthimit, pas një jave, në “Loro Borici”. Dy golat e kuqebluve u shënuan nga Krymi 23’ dhe Dodaj 85’. Për Valur shënuan Tryggvaso 12’ dhe Heimisson në minutën e 9-të të kohës shtesë.
Kujtojmë se Egnatia e hapi siparin e këtij edicioni të Kupave të Europës për skuadrat tona, konkretisht në Champions League, duke u mundur 1-0 në Banja Luka, nga skuadra vendëse FC Borac. Edhe rrogozhinasit ranë pre e gjykimit tendencioz, u ndëshkuan me dy kartonë të kuq, si dhe përballuan thirrjet raciste të tifozëve boshnjakë, të cilat çuan në ndërprerjen e lojës për gati 10 minuta.
Burimi