Sylvinho nuk ka dilema për formacionin, ja si do të startojë sonte ndaj Ukrainës
Kuqezinjtë do të jenë në veprim sonte, për herë të parë pas përfaqësimit në “Euro 2024”. Ndoshta jo me të njëjtin ritëm, për shumë arsye, dëmtimesh, pezullimesh dhe fillimi të sezonit të ri, por me dëshirën maksimale për ta nisur me këmbën e mbarë Ligën e Kombeve.
Do të sfidojmë Ukrainën mbrëmjen e sotme, në Pragë, duke pasur mungesa jo pak të rëndësishme, përfshirë edhe kapitenin: Gjimshiti, Ajeti, Broja dhe Daku. Me zgjedhje më të limituara, trajneri Sylvinho e ka ndarë mendjen për formacionin titullar.
Në të ka vend për Strakoshën në portë, me katër mbrojtës para tij: Elseid Hysaj nga e djathta, Kumbulla dhe Ismajli në qendër, Mario Mitaj në krahun e majtë. Pra, Kumbulla dhe Ismajli janë dy “prurje të reja” në formacionin kuqezi, nëse i referohemi asaj që pamë në finalet e “Euro 2024”.
Në mesfushë rikonfirmohet treshja e Europianit, e përbërë nga Ramadani, Asllani dhe Qazim Laçi. Edhe krahët e sulmit kuqezi do të jenë të njëjtët, me Manajn si “pykë”: Nedim Bajrami në të majtë, Jasir Asani në të djathtë. Në stol, gati për t’i dhënë një dorë ekipit, për t’u aktivizuar gjatë lojës, figurojnë emra të tillë si Myrto Uzuni, Arbër Hoxha, Taulant Seferi apo Medon Berisha.
Kujtojmë se kombëtarja shqiptare udhëtoi dje drejt Pragës, në kuadër të ndeshjes ndaj Ukrainës. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se me skuadrën kanë udhëtuar të gjithë lojtarët e grumbulluar.
Me të mbërritur në Pragë, kuqezinjtë u akomoduan menjëherë në hotel. Mbrëmë, kuqezinjtë kanë mbyllur edhe përgatitjet për takimin e parë të ‘UEFA Nations League’, teksa kanë zhvilluar seancën zyrtare stërvitore në orën 18:00, në stadiumin ku do të luhet ndaj Ukrainës.
Burimi