Maignan shpëtimtar, Griezmann shpërdoron. Holanda dhe Franca barazojnë me synimin për në 1/8 finale

Maignan shpëtimtar, Griezmann shpërdoron. Holanda dhe Franca barazojnë me synimin për në 1/8 finale

Franca dhe Holanda kanë ndarë nga një pikë mes tyre, në përplasjen direkte të mbrëmjes së sotme, në kuadrin e xhiros së dytë në grupe të “Euro 2024”. Ndeshje shumë e luftuar, me raste të shpërdoruara nga të dyja skuadrat, por edhe mbrojtjet respektive mjaft të sigurta.
Portokallinjve iu anulua goli, të cilin e gjetën me shumë sforco, për pozicion jashtë loje. Skuadra e Deschamps pati më shumë iniciativë gjatë lojës, por çaloi në finalizim, ku rasti i Rabiot dhe Griezmann spikat mbi të tjerët.
Barazim pa gola, çka i lë të dyja kombëtaret në fjalë në kuotë pikësh të barabarta, nga 4 të tilla. E thënë ndryshe, kombëtaret në fjalë nuk i prishën punë njëra-tjetrës, edhe pse Austria i ndjek me 3 pikë.

Pra, sfidat e treta në këtë grup do të jenë vendimtare. Kuptohet, Franca duket se e ka më të lehtë ndaj Polonisë së vendit të fundit dhe pa asnjë pikë, ndërsa austriakët do të jenë një pengesë serioze për të besuarit e Koeman.
Kujtojmë se Franca dhe Holanda, para sfidës së kësaj mbrëmjeje, ishin përballur tri herë në Kampionatin Europian. Përballja e parë ndodhi në vitin 1996, në çerekfinale. Blutë kaluan në gjysmëfinale me penallti, teksa Clarence Seedorf e humbi 11-metërshin e vetëm të “ruletës ruse”.
Burimi