
Hamilton “dita e parë e shkollës” te Ferrari: Kjo është një nga ato ditë që do ta kujtoj gjithnjë
21 Janar 2025
9:54
Telesport
Piloti britanik Lewis Hamilton ka vizituar dje për herë të parë Maranello, “shtëpinë” e Ferrari, makinë të cilën do të pilotojë këtë vit. 7 herë kampioni i botës në Formula 1 nuk i ka kursyer fjalët e ngrohta për “kokëkuqen”, duke pranuar se ka qenë një ëndërr për të pilotimi i një Ferrari.
“I jam mirënjohës të gjithë atyre që mundësuan ardhjen time këtu. Jam entuziast për të nisur këtë epokë të re dhe të jem pjesë e kësaj familje. Do të punoj me një grup njerëzish të talentuar dhe të pasionuar, çka më stimulon shumë. Jam i vendosur për të arritur rezultate këtu”, tha Hamilton.
Ish-piloti i Mercedes ka vizituar fabrikën, ka takuar mekanikët dhe ka bërë provën e sediljes. Ndërkohë që të mërkurën pritet që ai të provojë në pistën e Fiorano makinën Ferrari (njëvendëshen e dy sezoneve më parë). Gjatë qëndrimit të tij ai ka përshëndetuar e takuar edhe disa tifozë të Ferrari.
“Ka disa ditë që do t’i kujtosh gjithnjë dhe dita ime e parë si pilot i Ferrari është një prej tyre. Kam arritur shumë suksese, por gjithnjë kam ruajtur të fshehur ëndrrën për të pilotuar këtë makinë. Jam i lumtur që realizoj këtë ëndërr. Mezi pres të zbuloj historin që do të shkruajmë së bashku”, tha Hamilton.
Burimi