Duka pranon dështimin e kombëtares: Nuk luajtëm mirë në pjesën më të madhe të ndeshjeve
Armabnd Duka, presidenti i FSHF-së, ka pritur disa orë për ta “asimiluar” disi zhgënjimin që solli fushata kualifikuese e Ligës së Kombeve për shqiptarët. Kombëtarja jonë kuqezi e mbylli e fundit në grup, me 7 pikë, duke humbur sfidën vendimtare ndaj Ukrainës, mbrëmë në “Arena Kombëtare”.
Kreu i futbollit shqiptar hedh piketat e asaj që duhet të ndodhë, fillimisht analizën e thellë dhe pastaj ringritjen në funksion të eliminatoreve të Botërorit 2026: “E filluam mirë dhe e mbyllëm keq këtë garë të ‘Nations League’, humbëm ndeshjen kryesore, përcaktuesen, por nuk është se shkëlqyem në pjesën më të madhe të ndeshjeve.
Realisht u mërzitëm, mbase dhe për faktin se krijuam shumë pritshmëri. Pasi të qetësohemi duhet ta analizojmë mirë këtë kompeticion. Përtej anës teknike e taktike, për të cilën stafi do t’i nënshtrohet një analize të thellë, sërish vumë re që ekipi pësoi ulje-ngritje, që natyrisht na vunë në pozita në klasifikim.
Ishim të vetëdijshëm dhe u pa qartë që nuk kishim kundërshtarë aspak të thjeshtë. Po aq sa jemi përsëri të bindur që kemi një skuadër shumë të fortë, e cila mund të na dhurojë përsëri emocione të forta.
Pas ndeshjeve në Europian duhet të bënim shumë më mirë në ‘Nations League’, por diçka nuk funksionoi siç donim. Trajneri, stafi dhe ekipi do ta analizojnë këtë mes tyre. Tani është koha për pak qetësi, pasi gjithkush e ndien peshën e përgjegjësisë për atë që nuk bëmë mirë.
Pavarësisht se nuk ishim aty ku meritojmë të jemi, përsëri kam bindjen, e jo vetëm unë, që kemi djem të shkëlqyer dhe një skuadër me shumë kualitet. Prezenca në Europian na dha më shumë forcë e vetëbesim, por forca reale është vazhdimësia.
Asnjë shteg vetëkënaqësie nuk duhet të na pengojë për të bërë shumë më mirë se sa në kualifikueset e Europianit. Ndeshjet që mbyllëm janë objekt reflektimi e analize dhe le të shërbejnë për të gjithë si një pikë emergjente kthese, duke i parë gjërat me qetësi dhe aspak me emotivitet, për të gjetur fajtorë e të pafajshëm!
Shpejt do të mësojmë kundërshtarët e eliminatoreve të Botërorit 2026. Kemi shkuar me meritë e djersë dy herë në Europian. Me besim e shumë forcë korrigjuese në vetvete do të tentojmë një mundësi për të arritur një tjetër objektiv historik.
Është detyrim për të kthyer faqe e për të bërë shumë më mirë, sepse sfida shumë më të vështira na presin. Në mbyllje, një falënderim për tifozët e mrekullueshëm, që në asnjë moment nuk e kanë lënë skuadrën, e mbështetën dhe ishin afër saj si kurrë më parë.
Pikërisht për ta pika e kthesës së kombëtares duhet të jetë shumë e fortë. Me bindjen se do të rikthehemi shumë më të fortë, për një tjetër objektiv historik, Botërorin”.
Burimi