Duka i frikësohet precedentit Rumani-Kosovë, kërkon maturi dhe qytetari nga tifozët ndaj Çekisë

Duka i frikësohet precedentit Rumani-Kosovë, kërkon maturi dhe qytetari nga tifozët ndaj Çekisë

Disa orë para startit të ndeshjes Shqipëri-Çeki, e vlefshme për Ligën e Kombeve, presidenti i FSHF-së ka shpërndarë një mesazh përmes rrjeteve të tij sociale. Përmes fjalëve të zgjedhura me kujdes, pa dashur të bjerë shumë në sy, kreu i futbollit shqiptar apelon për respekt ndaj kundërshtarit, në çdolloj dimensioni, duke nisur nga intonimi i himnit çek.
Duke pasur parasysh atë që ndodhi mbrëmë në Rumani-Kosovë, por edhe banerat kundër shqiptarëve në Pragë, ndeshjen e parë të kësaj fushate eliminatore, tensioni është i pritshëm sonte në shkallët e “Arena Kombëtare”. Duka, gjithsesi kërkon të mos kalohen caqet e lejuara të futbollit në këto nivele, ku gjithçka është në “lupën” e UEFA-s:

“Sonte vazhdojmë rrugëtimin tonë në UEFA Nations League, ndaj Çekisë me të cilën jemi përballur shpesh në dy vitet e fundit dhe kemi përjetuar emocione të shumta. Të gjithë presim një ndeshje të fortë dhe angazhimin maksimal në fushën e blertë dhe në shkallët e stadiumit.
Sonte duhet të fitojë futbolli, nga momenti i këndimit të himneve e deri në vërshëllimën e arbitrit për të mbyllur ndeshjen. Le të tregojmë qytetari, maturi dhe atë që shqiptarët e kanë pasur gjithmonë, mikpritjen”.
Burimi