Djokovic në fushë 18 ditë nga operacioni: Në Wimbledon vetëm nëse kam garanci për të fituar

Djokovic në fushë 18 ditë nga operacioni: Në Wimbledon vetëm nëse kam garanci për të fituar

Të dielën, tenisti serb Novak Djokovic zbarkoi në Londër dhe u fotografua teksa stërvitej në fushat e “All England Club”, aty ku zhvillohet grand slam i Wimbledon. Turneu më i rëndësishëm i fushave me bar do të nisë më 1 korrik.
Ish-numri 1 në botë shpreson të rikthehet të luajë 18 ditë pas operacionit në meniskun e gjurit të djathtë. Djokovic do të bëjë gjithçka për të qenë në startin e turneut të Londrës, të cilin e ka fituar 7 herë në karrierën e tij.
Me dy fasha të dukshme në bërrylin e djathtë dhe gjurin, ai ka nisur të stërvitet në fushën qëndrore të Wimbledon. Gjithsesi, në ditët në vijim do të vendosë për pjesëmarrjen e tij të mundshme në këtë turne. Serbi do të luajë në Wimbledon, por vetëm “nëse mund të luftojë për titull”.
“Nëse e di që mund të luaj afër maksimumin tim apo edhe në maksimum, atëherë do të luaj. Nëse jo, atëherë do t’i jap dikujt tjetër mundësinë për të luajtur. Do të luaj vetëm nëse e di se jam në një gjendje mjaft të mirë për të shkuar larg në turne dhe për të luftuar për titullin”, tha Djokovic.
“Rehabilitimi shkon në drejtimin e duhur çdo ditë, pak më mirë e më mire. Kjo është ajo që më jep shpresë dhe inkurajim për të ecur përpara. Po i marr gjërat gradualisht. Nuk po e shtyj veten 100% ende, por shpresoj se do të vijë në ditët në vijim”, tha serbi, që ka si objektiv medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Burimi