Asllani nuk iu beson syve: Si mund t’i pësojmë dy gola në shtëpi, brenda 10 minutash lojë?!
Mbetet pika nevralgjike e lojës së kombëtares sonë, është plot talent në këmbë, pasimet e tij janë prej lojtari të madh. Jep shpirtin në fushë, deri në pikën e fundit të djersës, ndaj meriton lavdërime.
Kristjan Asllani, si gjithë bashkëlojtarët e tjerë, ka mbetur i zhgënjyer nga disfata e mbrëmshme ndaj Ukrainës. Pas sfidës përmbyllëse të kësaj fushate të Ligës së Kombeve, mesfushori i Interit u shpreh:
“Kemi hyrë në fushë shumë keq, sepse nuk mund të pësosh dy gola në shtëpi brenda 10 minutash lojë. Janë gjëra që ndodhin në futboll, gjithsesi. Shpresoja të mos shkonte kështu ndeshja. Në pjesën e parë ishim në vështirësi, kur nuk kishim topin.
Besoj se kemi bërë ndeshjen më të keqe, kemi pasur shumë probleme. Në pjesën e dytë kemi ndërruar modul, ishim lart me presing, ndeshja ndryshoi. Donim pikët sot, sidomos të merrnim fitoren, por edhe një pikë na gëzonte. Futbolli është kështu, do të përmirësohemi.
Nuk na tha gjë në pushim trajneri, ndryshoi mënyra si të shkonim te kundërshtari, sepse kishim shumë probleme në pjesën e parë. Ukrainasit ishin gjithmonë të lirë, ne vraponim bosh. Në pjesën e dytë shkuam gati një kundër një dhe ata patën frikë. Mëkat që nuk morëm të paktën një pikë.
Këto janë ndeshje të ndryshme, nuk mund të flitet njësoj për të gjitha. Çekia luante me topa të gjatë dhe ishte ekip fizik, këta luanin futboll, kishin lojtarë teknikë. Ne e kishim të vështirë kur ukrainasit zotëronin topin”.
Burimi