Shtoi kontrollet në kufijtë tokësorë, vendet fqinje kritikojnë Gjermaninë

Shtoi kontrollet në kufijtë tokësorë, vendet fqinje kritikojnë Gjermaninë

Vendet fqinje evropiane kanë shprehur kritika pas vendimit të Gjermanisë për të vendosur kontrolle të përkohshme në të gjithë kufijtë e saj tokësorë. Vendimi, i cili zgjeroi kontrollet tashmë të vendosura në disa kufij, synon të frenojë migrimin e parregullt, sipas ministres së Brendshme gjermane Nancy Faeser.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se veprimi ishte i papranueshëm nga këndvështrimi i Polonisë, duke shtuar se vendimi nënkuptonte pezullimin e zonës Shengen në një shkallë të gjerë, shkruajnë mediat e huaja.
“Ne do të kërkojmë në orët në vijim vendet e tjera që do të preken nga këto vendime të Berlinit që të konsultohen urgjentisht për veprime brenda Bashkimit Evropian për këtë çështje”, tha ai.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Austrisë, Gernard Karner theksoi se vendimi i Gjermanisë ishte i paligjshëm dhe se Austria nuk do të pranonte emigrantët e refuzuar nga Gjermania.
Megjithatë, ai tha gjithashtu se ishte i kënaqur që Gjermania po trajtonte atë që ai tha se ishte problemi kryesor i migrimit të paligjshëm në Evropë. Kontrollet e përkohshme në të gjithë kufijtë gjermanë ndezën një debat të ashpër nëse refugjatët mund të kthehen prapa.
“Ajo që është e rëndësishme për ne si koalicion është se ne kemi nisur tashmë një sërë masash për të luftuar imigracionin e parregullt”, tha Faeser.
“Ne kemi pasur kontrolle kufitare në të gjithë kufijtë tokësorë që nga dje. Kemi kontrolle kufitare me Çekinë, Poloninë, Austrinë dhe Zvicrën që nga tetori. Që atëherë kemi kryer 30 mijë dëbime. Kemi nisur një deportim dhe riatdhesim të madh”, shtoi ajo.
Mbyllja e kufijve është caktuar të zgjasë gjashtë muaj dhe po kërcënon të testojë unitetin evropian.
Shumica e fqinjëve të Gjermanisë janë anëtarë të Bashkimit Evropian, një bllok prej 27 vendesh i bazuar në parimet e tregtisë së lirë dhe të udhëtimit. Dhe Gjermania – motori ekonomik i BE-së në zemër të Evropës – ndan më shumë kufij me vendet e tjera se çdo shtet tjetër anëtar.
Muajin e kaluar, një sulm vdekjeprurës me thikë nga një azilkërkues sirian në Soligen vrau tre persona. Autori pretendoi se ishte i frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik. Në qershor, një sulm me thikë nga një emigrant afgan la të vdekur një oficer policie dhe katër persona të tjerë të plagosur.
Burimi