Pse prindërit zgjedhin të izolohen brenda në ‘Fabrikën e Lumturisë’

Pse prindërit zgjedhin të izolohen brenda në ‘Fabrikën e Lumturisë’

Nga Hyojung Kim, BBC
E vetmja gjë e cila lidh çdo dhomë të vogël te Fabrika e Lumturisë me botën e jashtme është një vrimë ushqimi në derë.
Asnjë telefon ose laptop nuk lejohet brenda këtyre qelive, të cilat nuk janë më të mëdha se një dollap dyqani, dhe banorët kanë vetëm muret për shoqëri.
Banorët mund të veshin uniforma blu burgu, por ata nuk janë të burgosur – ata kanë ardhur në këtë qendër në Korenë e Jugut për një “eksperiencë izolimi”.
Pjesa më e madhe e njerëzve këtu kanë një fëmijë, i cili është tërhequr plotësisht nga shoqëria, dhe kanë ardhur për ta mësuar vetë si ndihet të jesh i shkëputur nga bota.
Qeli izolimi
Njerëzit e rinj dhe të izoluar si fëmijët e këtyre prindërve referohen si hikikomori, një term i krijuar në Japoni në vitet 1990 për të përshkruar tërheqjen e rëndë sociale mes adoleshentëve dhe të rinjve.
Vitin e kaluar, një anketë e Ministrisë së Shëndetit e Mirëqenies së Koresë së Jugut me 15,000 të rinj 19 deri 34-vjecarë zbuloi se më shumë se 5% e të anketuarve po e izolonin veten.
Nëse kjo përfaqëson popullatën më të gjerë të Koresë së Jugut, kjo do të thotë se rreth 540,000 njerëz ishin në të njëjtën situatë.
Që nga prilli, prindërit kanë marrë pjesë në një program 13-javësh edukimi prindëror të financuara dhe të drejtuara nga organizatat jo-qeveritare Fondacioni i Rinisë Koreane dhe Qendra e Rikuperimit të Balenës Blu.
Synimi i skemës është që t’i mësojë njerëzit se si të komunikojnë më mirë me fëmijët e tyre.
Në program bëjnë pjesë tre ditë në një qendër në Hongcheon-gun, krahina Gangwon, ku pjesëmarrësit kalojnë kohën në një dhomë, e cila imiton një qeli izolimi.
Shpresa është se izolimi do iu ofrojë prindërve një kuptim më të thellë të fëmijëve të tyre.
“Burg emocional”
Djali i Jin Young-hae e ka izoluar veten në dhomën e tij të gjumit për tre vjet tani.
Por që kur ka kaluar kohë vetë në izolim, znj. Jin (nuk është emri i saj i vërtetë) e kupton më mirë “burgun emocional” të 24-vjeçarit të saj.
“Kam qenë duke pyetur veten se çfarë kamë bërë gabim… është e dhimbshme për ta menduar,” thotë 50-vjeçarja.
“Por ndërkohë që fillova të reflektoja, fitova pak qartësi.”
Mosdashja për të folur
Djali i saj ka qenë gjithmonë i talentuar, thotë znj. Jin, dhe ajo bashkë me babanë e tij kishin pritshmëri të larta për të.
Por ai shpesh ishte i sëmurë, kishte probleme me të mbajturit shoqëri dhe përfundimisht vuajti nga një çrregullim i të ngrënit, i cili e bënte të vështirë të shkonte në shkollë.
Kur djali i saj u fut në universitet, ai duket se po ia kalonte mirë për një semestër – por një ditë, ai u izolua plotësisht
Por edhe pse ankthi, vështirësitë në marrëdhëniet me familjen dhe shokët, dhe zhgënjimi se nuk u pranua në një universitet të lartë mund të kenë ndikuar në djalin e saj, ai refuzon që të thotë se çfarë nuk shkon.
Kur znj. Jin erdhi te Fabrika e Lumturisë, ajo lexoi shënime nga të tjerë njerëz të rinj të izoluar
“Leximi i atyre shënimeve më bëri të kuptoja, ‘Ah, ai po e mbron veten me qetësi pasi askush nuk e kupton’,” thotë ajo.
Park Han-sil (nuk është emri i saj i vërtetë) erdhi këtu për djalin e saj 26-vjeçar, i cili i kishte prerë komunikimet me botën e jashtme shtatë vite më parë.
Pasi ishte larguar nga shtëpia disa herë, ai tani e lë shumë rrallë dhomën.
Znj. Park e çoi atë te një këshilltar dhe te doktorët – por djali i saj refuzonte të pinte ilaçet e tij të shëndetit mendor dhe u fiksua me video-lojërat.
Marrëdhëniet ndërpersonale
Ndërkohë që znj. Park ka akoma probleme me djalin e saj, ajo ka filluar që t’i kuptojë më mirë ndjesitë e tij për shkak të programit të izolimit.
“Kam kuptuar se është më e rëndësishme që ta pranoj jetën e fëmijës tim pa e detyruar në një shabllon të përcaktuar”.
Kërkimet nga Ministria e Shëndetit dhe Mirëqenies së Koresë së Jugut sugjerojnë se ka shumë faktorë që i çojnë njerëzit e rinj të izolojnë veten.
Sipas anketës së ministrisë, arsyet më të zakonshme janë:
•    Probleme me të gjeturit një punë (24.1%)
•    Probleme me marrëdhëniet ndërpersonale (23.5%)
•    Probleme familjare (12.4%)
•    Probleme shëndetësore (12.4%)
Koreja e Jugut ka një nga përqindjet më të larta të vetëvrasjes në botë dhe vitin e kaluar, qeveria e saj zbuloi një plan pesëvjeçar, i cili synon të adresojë këtë.
Ministrat shpallën se do të ketë kontrolle të shëndetit mendor të financuara nga shteti për njerëzit 20-34 vjeç çdo dy vjet.
Në Japoni, vala e parë e vetë-izolimit të të rinjve, në vitet 1990, ka çuar në një demografikë të njerëzve në moshën e mesme, të cilët varen nga prindërit e tyre të moshuar.
Dhe duke provuar të mbështesin fëmijët e tyre të rritur me thjesht një pension, disa të moshuar kanë rënë në varfëri ose depresion.
Prof Jeong Go-Woon, nga reparti i sociologjisë në Universitetin Kyung Hee, thotë se pritshmëria e shoqërisë koreane se momentet e mëdha të jetës duhet të arrihen në kohë të caktuar e rrit ankthin e të rinjve – sidomos në kohë të stanjacionit ekonomik dhe numrit të ulët të punësimeve.
Pikëpamja se arritjet e fëmijës janë një sukses prindëror kontribuon në rënien në moçalin e izolimit në familje të tëra.
Dhe shumë prindër i shikojnë problemet e fëmijës së tyre si një dështim në edukim, duke çuar në një ndjesi faji.
“Në Kore, prindërit shpesh i tregojnë dashurinë dhe ndjenjat e tyre me sjellje dhe role praktike në vend që ta tregojnë me shprehje verbale,” thotë Prof Jeong.
“Financimi i tarifave shkollore të fëmijëve nga prindërit përmes punës së lodhshme është një shembull tipik i një kulture Konfuciane, e cila i vë rëndësi përgjegjësisë.”
Ky theks kulturor në punën e lodhshme mund të reflektohet në rritjen e shpejtë ekonomike së Koresë së Jugut në gjysmën e dytë të shekullit 21, kur ajo u bë një nga ekonomitë më të mëdha të botës.
Por, sipas Bazës Botërore të së Dhënave të Pabarazisë, pabarazia ekonomike e vendit është përkeqësuar gjatë tre dekadave të fundit.
Drejtori i Qendrës së Rikuperimit të Balenës Blu Kim Ok-ran thotë se pikëpamja se të rinjtë të cilët vetë-izolohen janë një “problem familjar” do të thotë se shumë prindër gjithashtu përfundojnë duke iu tërhequr atyre rreth tyre.
Dhe disa kanë aq shumë frikë se mos gjykohen saqë ata as nuk mund t’iu flasin të afërmve rreth situatës së tyre.
“Ata nuk mund të flasin në publik rreth situatës, duke çuar në një izolim dhe nga ana e prindërve,” thotë znj. Kim.
“Shpesh, ata ndalojnë së marrit pjesë në mbledhje familjare gjatë festave.”
“Duke vëzhguar”
Prindërit, të cilët kanë ardhur te Fabrika e Lumturisë për ndihmë, akoma presin me gëzim ditën kur fëmijët e tyre mund të vazhdojnë një jetë normale.
Kur u pyet se çfarë do i thoshte djalit të saj nëse ai do të dilte nga izolimi, sytë e znj. Jim u mbushën me lot.
“Ti ke vuajtur kaq shumë,” thotë ajo, ndërkohë që i dridhet zëri.
“Ishte e vështirë, apo jo?
“Do të jem duke u kujdesur për ty”.
Burimi