Kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës dhe njëkohësisht bashkëdrejtues politik, Besart Xhaferri, ka komentuar ngjarjet kriminale të ndodhura së fundmi në Tiranë dhe Lezhë, duke i cilësuar si sinjal alarmi për shoqërinë shqiptare. Sipas tij, këto atentate mafioze ndodhin shpesh gjatë fushatave zgjedhore dhe reflektojnë ndikimin e krimit në strukturat shtetërore.
Xhaferri akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për lidhje të drejtpërdrejta me krimin, duke deklaruar se policia vihet në shërbim të makinerisë elektorale dhe jo në luftën kundër kriminalitetit. Ai theksoi se në vend të forcimit të rendit, policia përdoret për blerje votash dhe mbrojtje të interesave politike.
Sipas kandidatit demokrat, mungesa e reagimit nga autoritetet ligjzbatuese ndaj fenomenit të rritjes së kriminalitetit përbën një pengesë të madhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai përmendi tri ngjarje të rënda si dëshmi të këtij fenomeni dhe paralajmëroi se nëse Rama fiton më 11 maj, “narko-terroristët do jenë pjesë e kapilarëve të shoqërisë shqiptare”.
Xhaferri parashikoi pasoja serioze për sigurinë publike, duke përmendur raste si ato të Kolumbisë së Pablo Escobar-it apo Palermos së viteve ’70-’80. Ai ngriti shqetësimin për rrezikun që përfshin edhe fëmijët, duke thënë se askush nuk do ndihet më i sigurt për t’i dërguar në shkollë.
Ai po ashtu denoncoi atë që e cilësoi si “korrupsion diplomatik” të mbjellë në Evropë nga Rama, i cili sipas tij ka krijuar një lidhje të fortë mes krimit, diplomacisë dhe politikës.
“Shqipëria po bëhet narko-shtet që prodhon narko-terrorizëm… Këto janë kambanë alarmi për shoqërinë, që s’mund të qëndrojmë në duart e atyre që manipulojnë votën sesa atyre që duhet të bëjnë detyrën e ta largojnë krimin nga Shqipëria.”
“Nëse më 11 maj Rama fiton e të jetë kryeministër, do bëhen de fakto në të gjithë kapilarin e shoqërisë shqiptare. Do kemi frikë të dërgojmë fëmijët në shkolla, pasi narko-terroristët mund të vendosin një bombë, siç ndodhi me Pablo Escobar.”
“Kjo është paradoks, këta s’mund të na çojnë në BE… Krimi i organizuar të kontrollon gjithçka.”
‘Shqipëria po shndërrohet në një narko-shtet’, Xhaferri: Atentatet, kambanë alarmi për shoqërinë
