Refuzuan ftesën për dialog, studentët ngjitin në muret e Kryeministrisë fotot e të rinjve të dhunuar nga policia
Studentët kanë refuzuar dialogun e kërkuar nga kryeministri Edi Rama, duke vijuar protestën para Kryeministrisë dhe kërkesën për dorëheqjen e tij. Në mënyrë simbolike, protestuesit kanë ngjitur në muret pranë godinës së qeverisë fotografitë e të rinjve që janë dhunuar gjatë protestave të zhvilluara përgjatë javës së fundit. Poshtë fotografive është vendosur pyetja “Dialog?”, duke shprehur kundërshtimin e studentëve ndaj ftesës së kryeministrit për dialog. Qëndrimi i studentëve është mbështetur edhe nga pedagogë, të cilët kanë zhvilluar një marshim në mbështetje të të rinjve dhe kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve. Prej një jave, studentët protestojnë çdo ditë, duke kërkuar largimin e Ramës dhe lirimin e të rinjve të ndaluar gjatë protestave.
Burimi:
gijotina.com