
Zbardhet vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok! Ja çfarë parashikohet! Kjo masë mund të rishikohet nëse…
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për të mbyllur për 12 muaj platformën online TikTok. Sipas qeverisë kjo masë ka për qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Qeveria parashikon që ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.
“Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi”, thuhet ne vendimin e qeverise.
VENDIMI I QEVERISE
MARRJEN E MASAVE TË PËRKOHSHME PËR SHMANGIEN E NDIKIMEVE NEGATIVE TË PLATFORMËS ON-LINE “TIKTOK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.
3. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë:
a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës;
b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve;
c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm;
ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.
4. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
5. Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi