
EMRAT/ Akuza për tentativë vrasje dhe mashtrim me TVSH! Ekstradohen në Shqipëri dy persona, njëri nga Greqia, tjetri nga Italia
Ekstradohen në Shqipëri, 2 shtetas: njëri i akuzuar për tentativë për vrasje, tjetri për krijimin e një skeme mashtrimi me qëllim përfitimin e rimbursimit të TVSH-së.
Interpol Tirana, në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, ka zhvilluar në drejtimin e Drejtorisë së Interpolit, 2 operacione për ekstradimin e 2 shtetasve që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:
-u ekstradua nga Athina, shtetasi shqiptar Bashkim Koçi., 40 vjeç, lindur në Burrel. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me vendimin e datës 07.06.2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit, pasi dyshohet se më datë 01.06.2023, në lagjen “Partizani”, Burrel, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin A. D., ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë. Nga të shtënat, shtetasi A. D. është dëmtuar rëndë;
-u ekstradua nga Italia, shtetasi italian Salvatore Cascino., 53 vjeç. Gjykata e Gjirokastrës, me vendimin e datës 25.07.2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, “Dhënia e informacioneve të rreme” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ky shtetas është arrestuar në Itali, 1 vit më parë, gjatë operacionit “Filiali”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Skema”, i zhvilluar në Shqipëri, në vitin 2023, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Shtetasi S. C. akuzohet se në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë italianë dhe me 2 shtetas shqiptarë (të arrestuar), kanë krijuar një sistem kompanish fiktive për qarkullimin e shumave monetare. Nëpërmjet kontratave fiktive të konsulencës, këto kompani, gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, kanë krijuar një teprice kreditore tek një shoqëri me administrator njërin nga shtetasit italianë, për të cilën, në mënyrë abuzive, është kërkuar rimbursim i TVSH-së. Nëpërmjet kësaj skeme, në vitin 2022, është përfituar si rimbursim i TVSH-së, shuma 20 765 411 lekë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi