Rifunksionalizohet salla e madhe e leximit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se salla e madhe e leximit po rifunksionalizohet për t’iu rikthyer misionit të saj në shërbim të lexuesve. Pas punimeve të realizuara në këtë hapësirë, është bërë edhe përzgjedhja dhe sistemimi i titujve nga fusha të ndryshme, të cilët tashmë janë të ekspozuar dhe të qasshëm për studentët, studiuesit dhe të gjithë të interesuarit. Sipas njoftimit, ky proces është rezultat i punës dhe përkushtimit të stafit të Departamentit për Zhvillimin dhe Përpunimin e Koleksioneve, me synim krijimin e një ambienti më funksional për lexim, studim dhe hulumtim. Biblioteka Kombëtare e Kosovës thekson se do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e mundësive të reja, në mënyrë që të jetë sa më pranë lexuesve./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com